Qeveria e re, partitë politike ende larg një marrëveshje të mundshme

Maqedonia

Qeveria e re, partitë politike ende larg një marrëveshje të mundshme

Më: 11 gusht 2020 Në ora: 16:47
Qeveria e Maqedonisë

Edhe 4 ditë deri në shpalljen e mundshme të koalicionit qeverisës, por palët në negociata duket ende larg arritjes së marrëveshjes. ALSAT mëson nga burimet e tij, se linjat konfrontuese mes LSDM-së dhe BDI-së është çështja e kryeministrit, formulës për të, 3 me 1 apo 1 me 3 si dhe rotacionit të mundshëm edhe të kreut të Kuvendit.

Sipas burimeve nga LSDM, thonë se kryeministri shqiptar është i papranueshëm, ndërkohë që nga BDI-ja insistojnë doemos në kryeministër shqiptar, kandidati që partia e Ahmetit promovoi në fushatë. BDI-ja këmbëngul madje që kryeministri të jetë në vitin e parë të mandatit 4 vjeçar të koalicionit të ardhshëm qeveritar, dhe në tre vitet e tjera, kryeministër të jetë kreu i LSDM-së Zoran Zaev. Për shkak të mosgjetjes së gjuhës së përbashkët për këtë çështje, të dy palët nuk kanë përmbyllur as çështjet e tjera, ato të resorëve të tjera, edhe pse sa i përket programit, që të dyja janë shprehur veçmë disa here se mbështesin kursin e njëjtë drejt BE-së dhe atë të fqinjësisë së mire. Burimet tona thonë se negociatat për qeverinë e re kanë ngecur edhe te një pike e re, ajo e futjes në formulë e pozitës së kreut të parlamentit. Nëse në vitin e parë, kryeministri është shqiptar, kreu i kuvendit do të jetë nga LSDM-ja, ndërsa në 3 vitet kur kryeministri do të jetë nga LSDM-ja, kreu i kuvendit do të jetë shqiptar.

Sipas qëndrimit të një dite më pare nga kreu i BDI-së Ahmeti, pas takimit me kreun e LSDM-së Zaev, pranoi se palët janë sa afër aq edhe larg marrëveshjes. Nuk është e qartë nëse BDI-ja do të shkonte edhe në opozitë në rast të mos përmbushjes së kërkesës së saj, apo edhe nëse LSDM-ja do të lëshonte pe për të mos humbur 15 deputetët e nevojshëm për formimin e shumicës së re.

Gjithsesi, për këto kushte, nga partitë ende vazhdojnë të heshtin zyrtarisht. I pyetur drejtpërdrejtë, kryeministri Zoran Zaev, nuk dha përgjigje konkrete nëse do të arrijë marrëveshje me BDI-në për çështjen e kryeministrit shqiptar. Në përgjigje për Alsat, Zaev përsëriti të njëjtin qëndrim si një ditë më parë.

“Sa të kemi ndonjë përparim në negociata, do ju informojmë. Deri atëherë nuk do të dëshironim të komentonim detaje, që të mundësojmë që procesi i negociatave të ketë arritje- deklaroi  Zoran Zaev, LSDM.

Nga BDI-ja nuk shprehën asnjë qëndrim rreth negociatave, edhe pse nga lëvizjet e saj, duket qartë se për momentin nuk po tregon interes me VMRO-në.

Nga ana tjetër, kryetari i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickovski, në konferencë për mediat, u shpreh se vazhdon të ketë kontakte me përfaqësuesit e të gjithë partive. Ai tha se Ahmeti e ka njoftuar që negocion me LSDM-në dhe se do të presë deri sa të përfundojnë negociatat mes tyre.

“Ai tha se do t’i japë prioritet LSDM-së, si fituese në bllokun maqedonas. Unë i thashë se nuk pajtohem, sepse vlerësoj se ne jemi fitues. Por nëse mendoni ju, se është ashtu, vazhdoni dhe ju uroj shumë sukses. Të presim të përfundojnë negociatat mes LSDM-së dhe BDI-së, të shohim çfarë do të ndodh në ato negociata. Por qëndrimet e VMRO DPMNE-së janë të qarta: VMRO DPMNE-ja asnjëherë nuk do të negociojë nga pozita e diktateve dhe kushtëzimeve- pohoi Hristijan Mickovski, VMRO DPMNE.

Lidhur me formimin e Qeverisë së re, presidenti Stevo Pendarovski të premten duhet t’i japë mandatin partisë e cila do të ketë shumicën parlamentare për të krijuar qeverinë e ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat