Partive në Maqedoni iu kërkohet të votojnë një Qeveri që ka prioritete ekonominë - Bota Sot
Partive në Maqedoni iu kërkohet të votojnë një Qeveri që ka prioritete ekonominë

Maqedonia

Partive në Maqedoni iu kërkohet të votojnë një Qeveri që ka prioritete ekonominë

Më: 13 gusht 2020 Në ora: 09:58
Ilustrim

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore ka bërë thirrje tek partitë politike që të krijojnë një Qeveri të re, që prioritet ka ekonominë dhe luftën kundër pasojave të pandemisë globale nga COVID-19.

Në një komunikatë për media nga kjo odë kanë thënë se ekonomia e Maqedonisë së Veriut po kalon në një krizë të thellë me të cilën nuk janë ballafaquar asnjëherë kompanitë por as institucionet shtetërore.

“Ekonomia e Maqedonisë së Veriut po kalon një krizë të thellë me të cilën nuk janë ballafaquar asnjëherë as kompanitë e as institucionet shtetërore. Burimi kryesor i kësaj krize është pandemia COVID-19, prandaj është më se i rëndësishëm themelimi i Qeverisë së re dhe funksionimi i plotë i institucioneve shtetërore, me qëllim të sanimit të dëmeve të shkaktuara dhe projeksionimit të hapave të mëtejmë për atë se si do të zhvillohen proceset dhe programet për rimëkëmbje të ekonomisë, e cila paraqet një nga shtyllat kryesore të shtetit”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje thuhet se pasojat e virusit korona janë dhe se ato do të vazhdojnë edhe më tej të shkaktojnë dëme në aspektin ekonomik me falimentimin e bizneseve.

“Pasojat e virusit kanë dhe vazhdojnë të shkaktojnë dëme të mëdha në aspektin ekonomik me falimentim te bizneseve, pushimi nga puna dhe jolikuiditeti. Prandaj për të qenë sa më të përgatitur për një valë eventuale të dytë të virusit është e domosdoshme që Maqedonia e Veriut të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme paraprake dhe në rast të situatave të tilla, vendi ynë të mos ketë barrë edhe krijimin e Qeverisë. E rëndësisë së lartë është që në strukturat e Qeverisë që do të formohet, të vendosen ekspertë apolitik nga fusha e ekonomisë të cilët konsultojnë në vazhdimësi sektorin e biznesit dhe ekspertët ekonomik mbi vendimmarrjet dhe proceset e menaxhimit të ekonomisë së vendit sepse në të kundërtën do kemi hapësirë për Qeveri joefikase dhe të politizuar”, përfundon komunikata për media e Odës Ekonomike të Maqedonisë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat