Gjermania: Nuk është në interesin e Bullgarisë të pengojë anëtarësimin e Shkupit në BE

Maqedonia

Gjermania: Nuk është në interesin e Bullgarisë të pengojë anëtarësimin e Shkupit në BE

Më: 18 shtator 2020 Në ora: 16:15
Foto ilustrim

Gjermania, që kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian, vlerëson se problemet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk duhet të përfshihen në kornizën negociuese për anëtarësimin e Shkupit në Bashkimin Evropian.

Këtë qëndrim të Berlinit zyrtar e bëri të ditur ambasadorja gjermane në Shkup, Anke Holstein, teksa komentoi një memorandum, përmes së cilit, Bullgaria i ka kërkuar vendeve anëtare të BE-së, që në kuadër të kornizës negociuese me Shkupin, të fusin edhe Marrëveshjen për fqinjësi të mirë, që Sofja dhe Shkupi kanë arritur më 2017.

Në memorandumin prej gjashtë faqesh, Bullgaria ka argumentuar se me Maqedoninë e Veriut ende nuk kanë zgjidhur kontestet rreth gjuhës, historisë së përbashkët dhe pakicave. Po ashtu, Sofja zyrtare ka paralajmëruar se mund të vendosë edhe veto për anëtarësimin e Shkupit në BE.

Ambasadorja e Gjermanisë në Shkup, Anke Holstein, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, është shprehur e prerë se është në interesin e Bullgarisë, që të mos e bllokojë procesin e integrimeve evropiane për Maqedoninë e Veriut.

“Bullgaria ua ka treguar këto kërkesa (të përfshira në memorandum) vendeve të tjera anëtare në fillim të gushtit. Ne dhe sipas njohurive të mia, të gjitha vendet tjera anëtare, jemi të mendimit që problemet dypalëshe nuk duhet të vihen në kuadrin negociues dhe që problemet dypalëshe duhet të zgjidhen në mënyrë bilaterale. Bullgaria gjithnjë ka qenë mbështetëse e madhe e përparimit në integrimin evropian të rajonit, përfshirë edhe të Maqedonisë së Veriut”, thotë ambasadorja Holstein.

“Është në interesin thelbësor të Bullgarisë që të mos bllokohet procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian për këtë rajon”, shton ambasadorja gjermane në Shkup.

Ndryshe, memorandumi i Bullgarisë, vjen në kohën kur Bashkimi Evropian pritet të përcaktojë kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Për këtë kornizë, Brukseli zyrtar pritet të vendosë në fillim të muajit tetor.

Ambasadorja gjermane në Shkup, Anke Holstein, thotë se vendet anëtare të BE-së do të arrijnë pajtueshmëri sa i përket kornizës negociuese, duke caktuar muajin dhjetor si kohën kur pritet të fillojnë edhe zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin e Shkupit në bllokun evropian.

“Në pjesën e politikës së zgjerimit, me të vërtetë mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare, përkatësisht nisja zyrtare e bisedimeve për zgjerim me Maqedoninë e Veriut është objektivi ynë i madh, që është objektiv i përbashkët i Gjermanisë dhe Maqedonisë së Veriut. Duhet që në kuadër të Bashkimit Evropian të merremi vesh në lidhje me kornizën negociues, për të cilën momentalisht diskutohet në Bruksel. Kur të arrihet marrëveshja për të, mund të japim edhe datën për konferencën e parë ndërqeveritare dhe shpresojmë që kjo të ndodhë në dhjetor”, thekson ambasadorja Holstein.

Ndryshe, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani të enjten, më 17 shtator, deklaroi se nuk pret që Bullgaria të bllokojë procesin e anëtarësimit të Shkupit në BE.

Osmani është shprehur se nuk beson që memorandumi i Bullgarisë do të shtyjë, qoftë dhe teknikisht, organizimin e konferencës së parë ndërqeveritare që pritet të mbahet në dhjetor, pasi siç ka theksuar, kjo konferencë është pjesë e vendimit të BE-së, të marrë në muajin mars, për nisjen e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut.

Ndërkaq, ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Antonio Milloshovski, i cili tashmë drejton Komisionin parlamentar për politikë të jashtme, ka kërkuar që Parlamenti maqedonas, si kundërpërgjigje ndaj memorandumit të Bullgarisë, të miratojë një rezolutë, ku do të specifikohej se nuk do të negociohet për identitetin dhe gjuhën maqedonase.

“Mendoj se do të ishte mirë që parlamenti ynë, si kundërpërgjigje ndaj Parlamentit bullgar, të miratojë një deklaratë të përbashkët, në të cilën identiteti i popullit maqedonas, mëvetësia e gjuhës maqedonase dhe të gjitha ngjarjet tjera kulturore dhe kombëtare do të konfirmoheshin bashkërisht dhe me këtë edhe të afirmohen si pjesë e vlerave evropiane të identitetit kulturor dhe kombëtar të kontinentit”, theksoi deputeti Milloshoski, i cili vjen nga radhët e partisë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, në gusht të vitit 2017 nënshkruan Marrëveshjen për fqinjësi të mirë. Kjo marrëveshje ka për synim zgjidhjen e kontesteve mes dy vendeve fqinje, që kanë të bëjnë kontestimin e gjuhës maqedonase nga ana e Bullgarisë si dhe kontesteve rreth ngjarjeve historike deri në vitin 1944, përkatësisht prejardhjen e heroit të dy vendeve, Goce Dellçev, rolin e VMRO-së (organizata e brendshme revolucionare maqedonase) dhe Kuvendin e Ilindenit, që kishte shpallur pavarësinë e shtetit të parë maqedonas, më 2 gusht të vitit 1903./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat