Pako e katërt ekonomike, ndihma financiare për punonjësit dhe kompanitë

Maqedonia

Pako e katërt ekonomike, ndihma financiare për punonjësit dhe kompanitë

Më: 22 shtator 2020 Në ora: 16:15
Foto Ilustrim

Kompanitë e prekura më së shumti nga kriza, përveç pagës minimale prej 14,500 denarë, do të marrin para nga shteti edhe për kontributet e punonjësve të tyre për tre muajt e fundit të vitit, mëson Alsat nga burime qeveritare. Para për kontributet e punonjësve deri në Vitin e Ri do të marrin kompanitë që kanë pësuar rënie më mëdha të qarkullimit. Tani për tani nuk dihen kriteret se cilat kompani do të mund ta përdorin këtë ndihmë. Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi e konfirmoi informacionin e publikuar një ditë më parë nga Alsat se kompanitë e prekura nga kriza e koronës do të marrin 14,500 denarë në muaj deri në dhjetor. Në mbledhjen e djeshme në qeveri, nuk u pranua që kjo ndihmë të paguhet deri në mars të vitit 2021.

 Tani jemi më me përvojë në drejtim të pandemisë, natyrisht që do të ketë masa shtesë mbështetëse, përparësi do të kenë ato që janë më të goditur. Por, nuk do të doja të hyja në detaje, këtë do t’ia lë Kryeministrit, i cili menaxhon ekipin ekonomik të Qeverisë. Por, në të njëjtën kohë, ne duhet ti informojmë së pari Odat ekonomike dhe sindikatat.”-tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Kryeministri Zoran Zaev tashmë ka deklaruar se ekziston mundësia që kompanitë të marrin ndihmë në mënyrë graduale, dmth një shumë të fondeve do t’u jepet kompanive me 30% qarkullim të zvogëluar, pak më shumë ato me minus 40%, dhe ndihmë shumë më të lartë për ato me qarkullim të zvogëluar nga 50 dhe 60 për qind. Qëllimi është zbatimi i masave të bëhet në mënyrë të drejtë. Tashmë dihet që ndihma për qytetarët do të jetë në formën e kartelave pagesore për të inkurajuar konsumin privat. Paratë do t’u shpërndahen njerëzve të papunë joaktivë, pensionistëve me pensione deri në 15 mijë denarë, prindërve të vetëm dhe të falimentuarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat