Xhaferi takon ambasadorin e Republikës së Kosovës, Gjergj Dedaj

Maqedonia

Xhaferi takon ambasadorin e Republikës së Kosovës, Gjergj Dedaj

Më: 23 shtator 2020 Në ora: 14:53
Xhaferi dhe Dedaj

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, sot realizoi takim me ambasadorin e Republikës së Kosovës, Sh.T. Gjergj Dedaj.

Kryetari Xhaferi shprehu kënaqësi për marrëdhëniet bilaterale të mira dhe konstruktive ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës, si edhe për bashkëpunimin e frytshëm ndërparlamentar. Ai e vlerësoi si veçanërisht të rëndësishëm bashkëpunimin në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, duke drejtuar urime për rrumbullakimin e suksesshëm të kryesimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës me këtë forum të rëndësishëm të dialogut politik dhe diplomatik. Ai u zotua për avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ndërlidhjen infrastrukturore mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës, duke theksuar se hapja e kalimeve të reja kufitare do i lehtësojë në masë të madhe biznes iniciativat dhe komunikimin ndërmjet qytetarëve.

Ambasadori Dedaj drejtoi urime për zbatimin demokratik të zgjedhjeve parlamentare dhe zgjedhjen e sërishme të Xhaferi-t për Kryetar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Duke vlerësuar se vendi lëviz në drejtimin e duhur, ai shprehu kënaqësi për bashkëpunimin me institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe e përshëndeti përparimin historik me anëtarësimin në NATO dhe rezultatet inkurajuese për fillimin e negociatave me BE-në. Ambasadori foli për gjendjen në Kosovë dhe Marrëveshjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë të nënshkruar në Uashington, të cilën e vlerësoi si historike.

Në takim u bë fjalë edhe për sfidat shëndetësore, ekonomike dhe sociale nga pandemia e Kovid-19, me ç’rast u vlerësua se është i domosdoshëm aktiviteti i përbashkët dhe bashkëpunimi ndërmjet vendeve të rajonit për tejkalimin e pasojave nga pandemia, si edhe gjetja e mënyrës për lehtësimin dhe liberalizimin e plotë të lëvizjes së qytetarëve ndërmjet shteteve.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se qëllimet e përbashkëta strategjike dhe përcaktimet e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës japin garanci se do të vazhdojë praktika e kultivimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe u zotuan për avancimin e mëtutjeshëm të komunikimit bilateral.

Në fund të takimit, Kryetari Xhaferi i uroi mandat të suksesshëm Konsullit të ri të përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut me seli në Strugë, Agim Krasniqi, i cili po ashtu ishte i pranishëm në takim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat