Bujar Osmani: Rajoni medoemos të jetë triumfues ndaj sfidave të pandemisë

Maqedonia

Bujar Osmani: Rajoni medoemos të jetë triumfues ndaj sfidave të pandemisë

Më: 24 shtator 2020 Në ora: 13:22
Bujar Osmani

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, mori pjesë në mbledhjen e rregullt të Ministrave të vendeve anëtare të Nismës së Evropës Qendrore (CEI), kushtuar gjetjes së mënyrave për ballafaqim më të suksesshëm në normalitetin e ri, në këtë periudhë të post – COVID-19.

“Pandemia tregoi se sa jemi të cenueshëm si vende nga sfidat e COVID 19, në veçanti ne, vendet e Evropës Juglindore, por njëkohësisht, pandemia dëshmoi se kemi edhe vullnet e edhe kapacitet për qasje evropiane në ballafaqimin me këto sfida, përmes bashkëpunimit efikas të ndërsjellë, si dhe bashkëpunimit me institucionet e Bashkimit Evropian.”, tha Osmani, duke i nënvizuar sfidat rajonale të cilat pasojnë: mundësitë për lëvizje të lirë të qytetarëve dhe qarkullim i pandërprerë i transportit, përforcimi i tregtisë dhe hapje e kapaciteteve turistike, si segment i bashkëpunimit ekonomik, e deri në shkëmbimin e informacioneve dhe praktikave më të mira në kuadër të protokolleve shëndetësore dhe njohurive epidemiologjike.

“Si Qeveri e re, në politikën tonë të jashtme si prioritet më të lartë i kemi vendosur marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore, me theks të veçantë në intensifikimin dhe mbështetjen e bashkëpunimit rajonal, që korrespondon me temën edhe në forumin aktual”, tha Osmani, duke nënvizuar se bashkëpunimi rajonal duhet të shikohet përmes prizmit të politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, për çka u shpreh optimist se do të mbetet prioritet i Unionit edhe në periudhën e ardhshme.

Sipas njoftimit të MPJ-së, në paraqitjet e tyre, ministrat theksuan se prioritet kryesor në ballafaqimin me pandeminë mbetet shëndeti i qytetarëve dhe minimizimi i pasojave ndaj sistemeve shëndetësore, por njëkohësisht u potencua se rifillimi i ekonomisë dhe adresimi i implikimeve sociale nga rënia ekonomike, po bëhen sfidat kyçe për vendosjen e normalitetit të ri.

Video Konferenca e Ministrave është pjesë e takimeve të rregullta vjetore të organizuara nga ana e kryesuesve të Nismës. Përveç Ministrave të Punëve të Jashtme nga 18 vendet anëtare të Nismës, në Konferencë morën pjesë edhe përfaqësues të lartë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Këshillit të Evropës, OSBE-së, Këshillit për Bashkëpunim Rajonal dhe Komisioneri për fqinjësi dhe zgjerim të BE-së, Olivér Várhelyi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat