Nepotizmi dhe klientelizmi, pjesë e sektorit publik

Maqedonia

Nepotizmi dhe klientelizmi, pjesë e sektorit publik

Më: 24 shtator 2020 Në ora: 17:10
Foto Ilustrim

Ligjet aktuale në fuqi lënë hapësirë për punësime politike, nepotizëm, klientelizëm dhe korrupsion në institucionet e sektorit publik. Komisioni për parandalimin e korrupsionit dhe “Transparency International” në përllogaritjen e tyre të përbashkët kanë zbuluar rreth 50 pika të dobëta dhe 150 aktivitete të nevojshme për t’u ndërmarrë për krijimin e një baze sistemore për administratë efikase, punësime sipas meritave dhe mënjanimin e korrupsionit. Gjatë analizën janë zbuluar edhe institucione monitoruese jofunksionale por edhe institucione pa të punësuar.

 “Zbuluam shumë probleme brenda ligjeve që mundësojnë shfrytëzimin e autorizimeve diskrecionale, që mundësojnë zbatimin e rregullave dhe procedurave të cilat u japin më shumë përparësi personave që janë të lidhur me grupe të caktuara të partive politike, klientelizëm, etj., dhe nuk i jepet mundësi cilësisë, profesionalizmit gjatë punësimit por edhe gjatë ngritjes në detyrë, zgjedhjes, emërimeve- deklaroi Sllagjana Taseva, Transparency International.

 “Shpesh bëhen ndryshime në aktet e sistematizimit për krijimin e qëllimshëm të vendeve të punës para publikimit të konkursit duke u përshtatur me kualifikimin e personit që duhet të punësohet. Arsyet për veprimet e këtilla nga ana e personave përgjegjës janë si pasojë e ekzistencës së ndikimit politik, përkatësisë partiake, mungesë integriteti personal dhe institucional, jotransparencë e mjaftueshme, kontroll i dobët, pandëshkueshmëri si dhe paqartësi në rregullativën ligjore- pohoi

Zv/kryeministri Lupço Nikollovski, premton luftë të pakompromis për këto fenomene por duke potencuar se ky do të jetë një proces që do të zgjasë me vite ose dekada.

 “Jemi të vetëdijshëm për korrupsionin dhe nepotizmin gjatë punësimit në sektorin publik. Nepotizëm dhe korrupsion ka pasur gjithmonë dhe nuk do të jetë e lehtë të çrrënjoset tërësisht. Nuk mund të presim përparim dhe rezultate në punën e sektorit publik dhe institucioneve shtetërore nëse përzgjedhja e të punësuarve nuk bëhet sipas standardeve më të larta dhe kualifikimeve për vendin e punës- tha Lupço Nikollovski, zv/kryeministër për luftë kundër korrupsionit.

 Ambasadori i Holandës Dirk Jan Kop, luftën ndaj korrupsionit e cilëson si urgjente.

“Antikorrupsioni s’është për BE-në, është për ju, qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Të shkulësh korrupsionin nga administrata publike është një gjë por kjo gjithashtu do të ndikojë të gjithë aspektet e tjera të jetës, do të jetë mirë për bizneset, do të tërheqë më shumë investime të huaja- pohoi Dirk Jan Kop, ambasador i Holandës.

“Përllogaritja e prekjes nga korrupsioni të politikave dhe procedurave për punësim, me theks të veçantë te nepotizmi, kronizmi dhe klientelizmi” është realizuar me mbështetje të Ambasadës së Holandës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat