Nënshkruhet Korniza e Bashkëpunimit për Zhvillim të Qëndrueshëm ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe OKB-së

Maqedonia

Nënshkruhet Korniza e Bashkëpunimit për Zhvillim të Qëndrueshëm ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe OKB-së

Më: 26 tetor 2020 Në ora: 11:53
Foto Ilustrim

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, sot në emër të Qeverisë së bashku me Koordinatoren e Përhershme të Kombeve të Bashkuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Rosana Duxhiak e nënshkruan Kornizën e re për Bashkëpunim për Zhvillim të Qëndrueshëm (UNSDCF) për periudhën 2021-2025.

“Një nga pesë prioritetet e politikës së jashtme të vendit, si pjesë po ashtu edhe e misionit të mandatit tim si Ministër, është pjesëmarrja aktive e vendit në mbështetjen e multilateralizmit, si dobi thelbësore civilizuese në arritjen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në botë. Kjo, aq më tepër që Republika e Maqedonisë së Veriut, edhe si vend anëtarë i plotfuqishëm i NATO-s, por edhe si vend që qëndron para vetë fillimit të negociatave me BE-në, ngrihet përtej stereotipave të Ballkanit për vend të cilit vazhdimisht i duhet furnizim i paqes dhe stabilitetit, në një vend që jep kontribut thelbësor ndaj progresit të civilizimit rajonal e me këtë edhe botëror, gjë që është po ashtu edhe obligim i yni”, tha Osmani, duke shtuar se nënshkrimi i Kornizës përkon simbolikisht me Ditën e Kombeve të Bashkuara, 24 Tetor dhe festimin e 75 vjetorit të themelimit të Organizatës.

Ministri Osmani u falënderua për të gjithë mbështetjen që Republika e Maqedonisë së Veriut e fiton nga miqtë tanë ndërkombëtarë, duke shtuar se kjo është kryesisht një përfitim për qytetarët tanë.

“Këto janë mjete me të cilat përmirësohet kapaciteti ynë institucional, mbështetje e cila siguron kushte më të mira për biznes, kushte për tërheqjen e investimeve të huaja, për krijimin e vendeve të reja të punës, për të ardhura më të larta – në një mënyrë për përmirësimin e përgjithshëm të standardit të jetesës së qytetarët”, tha Osmani.

Me nënshkrimin e Kornizës për Bashkëpunim për Zhvillim të Qëndrueshëm (UNSDCF) ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kombeve të Bashkuara, u specifikuan drejtimet e punës së sistemit të KB në vend për periudhën 2021-2025, gjë që konfirmon bashkëpunimin e vazhdueshëm midis partnerëve vendas dhe ndërkombëtarë, dhe me qëllim arritjen e përparësive tona të zhvillimit, brenda Kornizës së Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) dhe angazhimet e vendit për të promovuar të drejtat e njeriut.

“Rëndësia e këtij dokumenti është edhe më e madhe nëse marrim parasysh se aktivitetet janë komplementare dhe në funksion të integrimit evropian të vendit”, nënvizoi Ministri Osmani.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat