Rregullorja kufizon transmetimin në kanalin e kuvendit

Maqedonia

Rregullorja kufizon transmetimin në kanalin e kuvendit

Më: 29 tetor 2020 Në ora: 15:25
Foto Ilustrim

Protokollet për mbrojtje nga virusi kanë kufizuar dukshëm qasjen e gazetarëve në punën e trupave të Kuvendit. Kanali i Kuvendit transmeton vetëm seancat plenare dhe seancën e Komisionit për financa gjatë debatit për buxhetin. Seancat e tjera të komisioneve mund të ndiqen vetëm nëpërmjet shfletuesit elektronik “Internet Explorer” në faqen elektronike të Kuvendit, por vetëm një seancë në kohë, atë që zgjedhin të transmetojnë shërbimet e Kuvendit. Në pak salla të caktuara më të mëdha ku zhvillohen seancat e trupave punues të Kuvendit gazetarët mund të jenë prezent por jo edhe kamerat. Dërguam pyetje por nuk morëm përgjigje nëse punohet dhe çfarë konkretisht do të bëhet nga Kuvendi për më shumë transparencë në këtë drejtim. Pothuajse të gjitha grupet parlamentare pranojnë se ky është problem serioz. LSDM-ja thotë se kjo është një arsye shtesë për të kërkuar seanca “online”. Sipas tyre, shërbimet e Kuvendit merren me gjetjen e zgjidhjeje për më shumë qasje të gazetarëve gjatë debateve në komisione.

Ne i kërkojmë të gjitha mundësitë se si kjo të bëhet. E di që me këtë tashmë merren shërbimet e Kuvendit dhe kryetari i Kuvendit i cili mund t’ju informojë nga afër me këtë temë por jam i informuar se bëhen përpjekje se si të ndiqet puna e të gjithë komisioneve me hapjen e më shumë kanaleve. Për këtë duhen të zbatohen procedura. Nuk është aq e thjeshtë kur bëhet fjalë për institucion shtetëror. Duhen furnizime publike – tha Jovan Mitrevski, koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së.

Që duhet të gjendet një zgjidhje, vlerëson edhe VMRO-DPMNE-ja opozitare.

Nuk do të doja tani ta mbroj kryetarin e Kuvendit por kushtet teknike që ka janë ato që janë. Rekomandoj dhe kërkoj që bashkë me ju të krijohet mundësia që të ndiqen në mënyrë transparente të gjitha seancat e komisioneve dhe seancat plenare dhe me burime të dorës së parë të raportoni për atë që diskutohet – u shpreh Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.

Ndërkaq sipas koalicionit opozitar shqiptar, vazhdon terri informativ për aktivitetin e komisioneve meqë nuk janë pranuar disa propozimet e tyre për zgjidhjen e problemit.

Ne si deputetë dhe opozitë jemi të shqetësuar dhe këtë fakt e kemi ngritur si çështje jo një herë por disa herë sepse deputetët janë të interesuar që atë që diskutohet në komision të arrijë deri tek veshi i qytetarit. Natyrisht, edhe qytetarët janë të interesuar të dëgjojnë se çka ndodh këtu në Kuvend. Mendojmë se ka zgjidhje për këtë, gjithmonë duke pasur parasysh edhe situatën, rrethanat dhe masat për parandalimin e shpërndarjes së kovidit – deklaroi Syrija Rashidi, Aleanca për Shqiptarët – Alternativa.

Nga ligjvënësi më herët kanë deklaruar se sipas Rregullores, Kanali i Kuvendit nuk mund të transmetojë direkt seanca të tjera përveç atyre plenare dhe përveç debatit për buxhetin në komision. Incizimet nga seancat e tjera të trupave punues në kanalin e Kuvendit ritransmetohen me disa orë ose ditë vonesë, atëherë kur për mediat nuk përbëjnë më lajm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat