Maqedonia, pandemia përgjysmon lëndët gjyqësore

Maqedonia

Maqedonia, pandemia përgjysmon lëndët gjyqësore

Më: 31 tetor 2020 Në ora: 15:59
Foto Ilustrim

Në Gjykatën Themelore të Dibrës, në nëntë muajt e kaluara ka rënie të madhe të numrit të lëndëve gjyqësore. Shkaku kryesor, sipas kompetentëve të këtij institucioni gjyqësor, është ndikimi i pandemisë në jetën e përgjithshme të njerëzve, por edhe në punën sistemit gjyqësor. Kryetari i Gjykatës Themelore në Dibër, Ilir Iseni, na informoi se ka një rënie drastike të numrit të lëndëve gjyqësore sidomos në kaurtalin e dytë të nëntëmujorit, respektivisht gjatë muajve prill, maj dhe qershor. Gjatë këtyre muajve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka një përgjysmim të lëndëve. Kryetari Iseni sqaron se në këtë Gjykatë, në vitin 2019 – gjatë kuartalit të dytë ka patur 1573 lëndë, kurse sivjet po në të njëjtën periudhë – janë 770 lëndë. Po ashtu edhe në kuartalin e tretë, respektivisht në muajt korrik, gusht, shtator, vazhdon rënia e numrit të lëndëve. Vitin e kaluar, në korrik, gusht dhe shtator ka patur 824 lëndë, kurse këtë vit – 560.

Duke komentuar rënien e numrit të lëndëve, kryetari i gjykatës, Ilir Iseni thotë se ulje ka edhe te lëndët si civile, ashtu edhe penale, por edhe tek lëndët administrative. Po sipas tij, ka probleme edhe me realizimin të proceseve gjyqësore. “Shumë procese gjyqësore anulohen për shkak të mos ardhjes së palëve dhe sidomos numri i proceseve gjyqësore ka qenë minimal gjatë orës policore që ishte prezente në Dibër dhe Qendër Zhupë si komuna të para ku u paraqitën edhe dy raste të para pozitive me Kovid-19. Një problem kryesor gjatë kësaj periudhe ishte edhe mos ardhja në punë edhe i një gjykatësi i Gjykatës Themelore të Dibrës, meqë ai jeton në Strugë. Ardhja e tij gjatë orës policore u kufizua për shkak të masave që parasheh ora policore”, tregon Iseni.

Në ndërkohë, gjykata e Dibrës vlerëson se duhet të fillohet me punë në proceset gjyqësore edhe në distancë. Njeriu i parë i këtij institucioni gjyqësor, Ilir Iseni, thekson se mbështet propozimin që gjykatat lëndët ti zhvillojnë edhe onlajn. Megjithatë, thotë ai, nevojitet të bëhet trajnimi i gjykatësve për të realizuar proceset gjyqësore në distancë, të ketë persona të cilët në gjykata me sukses i realizojnë aktivitetin e IT teknologjisë dhe normalisht të sigurohen pajisjet e nevojshme për realizimin e lëndëve gjyqësore onlajn. Ndryshe, në Gjykatën e Dibrës edhe më tej janë të mendimit se kësaj Gjykate, e cila mbulon Komunën Dibër dhe Qendër Zhupë, dekadat e fundit dukshëm i janë tkurrur kompetencat. Ajo ndodhi edhe me plotësimet dhe ndryshimet në Ligjin e ri për Gjykata, thonë në këtë institucion të drejtësisë. Po ashtu duhet theksur faktin se një problem i madh është edhe procesi gjyqësor ndaj minorenëve që tani si kompetencë – i bie Gjykatës së Kërçovës, kurse paraprakisht këtë kompetencë e kishte Gjykata e Gostivarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat