Ohër, publikohen lista me emra të personave të infektuar me Covid-19

Maqedonia

Ohër, publikohen lista me emra të personave të infektuar me Covid-19

Më: 17 nëntor 2020 Në ora: 15:14
Foto ilustrim

Listat me emrat e personave të infektuar me Covid 19, nga Ohri kanë qarkulluar në qytet për një kohë më të gjatë. Ata dërgohen nga njëri te tjetri në rrjetin social Facebook dhe pothuajse çdokush mund të ketë qasje në emra. Në lista janë emrat e të gjithë atyre, që janë regjistruar si pozitivë. Alsat erdhi te një pjesë e listave. Ne u përpoqëm të kontaktonim disa nga njerëzit në listë. Askush nuk donte të fliste në publik, por thanë se ajo që po ndodhte ishte jashtë ligjit. Nga Qendra e Shëndetit Publik thonë se kanë njohuri, por nuk e dinë se nga dalin emrat.

Me përgjegjësi pohoj se asnjë listë nuk është nga ne, sepse nuk kemi lista. Këto janë lista të bëra nga një epidemiolog. Listat që pamë nuk duken si listat dhe të dhënat tona në Qendrën e Shëndetit Publik. Unë me përgjegjësi pohoj se asnjë e dhënë, ose listë nuk është lëshuar nga Qendra e Shëndetit Publik, veçanërisht jo në rrjetet sociale – tha Sasho Toçkov – Drejtor i Qendrës së Shëndetit Publik -Ohër.

Toçkov thotë se rastet janë denoncuar dy herë në polici. Hera e parë ishte dy muaj më parë, me qëllim që të fillonte një procedurë dhe të gjendet burimi nga dalin emrat e pacientëve. Por, nga SPB Ohër thonë se deri më tani asnjë raport zyrtar nuk u është dërguar atyre në lidhje me publikimin e listave të emrave të infektuar me Covid 19.

Ne u bëjmë thirrje qytetarëve, që kanë ndonjë informacion në lidhje me këto lista që t’i dorëzojnë në SPB Ohër – tha Stefan Dimoski, zëdhënës i SPB Ohër.

Jozyrtarisht, policia tashmë ka komunikim me Prokurorinë Publike në lidhje me këtë rast. Ekspertët ligjorë thonë se sipas Kodit Penal, kjo përbën vepër penale dhe institucionet duhet të hetojnë urgjentisht.

Sipas dispozitave të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave, pacienti ka të drejtën e konfidencialitetit të të dhënave personale dhe mjekësore. Me përjashtim, ky informacion mund të zbulohet nëse pacienti pajtohet me shkrim për këtë. Sipas Kodit Penal, kushdo që mbledh, përpunon ose përdor të dhënat personale të qytetarit, pa pëlqimin e qytetarit, do të gjobitet ose burgoset deri në një vit – deklaroi Alen Dereban, avokat.

Dereban thotë se nëse vepra është kryer nga një person zyrtar, sipas Ligjit, ai mund të dënohet nga tre muaj, deri në tre vjet burg. Numri i të infektuarve të rinj me Covid 19 në Ohër dhe Strugë po rritet vazhdimisht. Kapacitetet spitalore janë të stërmbushura, dhe shumë qytetarë mjekohen në shtëpi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat