Për gjysmë viti, investime skandaloze në autostradën Kërçovë – Ohër

Maqedonia

Për gjysmë viti, investime skandaloze në autostradën Kërçovë – Ohër

Më: 27 nëntor 2020 Në ora: 16:02
autostrada Kërçovë – Ohër

Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, vetëm 4.7 milion euro janë investuar në ndërtimin e autostradës Kërçovë -Ohër. Këto të dhëna dalin në pah nga raporti i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore për periudhën Janar – Qershor 2020. Për krahasim, vitin e kaluar realizimi i këtij projekti në tremujorin e tretë arriti në mbi 24 milion euro. Alsat sot kërkoi qëndrim nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, për arsyen e zbatimit kaq të dobët të projektit, të cilin kjo qeveri njoftoi se do të vendosë në listën e prioriteteve për qytetarët. Ministri i transportit, Bllagoj Boçvarski informacionin për realizimin e dobët të autostradës e mësoi nga Alsati.

Unë thashë që në fillim të vitit me të vërtetë kishim një numër të madh të riprojektimeve, ku nuk mund të hynim në terren si Ndërmarrje Publike apo kontraktorë me dinamikë të fortë, sepse nuk kishte siguri në disa prej projekteve. Dhe për shkak të kësaj në pjesën e parë të vitit kemi një situatë të përkohshme – atë që ju e paraqitni. Por, në pjesën e dytë të vitit kemi tre situata të tjera të përkohshme, që arrijnë tashmë në 26 milion euro. Por në fund të vitit, ne presim një realizim prej 32 milion euro”-tha Bllagoj Boçvarski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Deri më tani, për autostradën Kërçovë-Ohër janë shpenzuar 350 milion euro dhe ndërsa janë realizuar 60% e punimeve. Me riprojektimin e ri të 25 për qind të trasesë dhe futjen e tetë lidhjeve, që nuk ishin në projektin fillestar, çmimi arrin pothuajse në 600 milion euro. Ministri nuk donte të precizonte afatin e fundit, për përfundimin e autostradës, por tha të paktën 20 km do të viheshin në funksion deri në fund të vitit të ardhshëm. Ndërtimi i autostradës, gati 60 km i gjatë, filloi në vitin 2014, dhe kontraktues i punimeve është kompania kineze Sinohydro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat