ASH: Ministria e Shëndetësisë po plaçkit qytetarët që kanë humbur të afërmit e tyre nga COVID-19

Maqedonia

ASH: Ministria e Shëndetësisë po plaçkit qytetarët që kanë humbur të afërmit e tyre nga COVID-19

Më: 4 dhjetor 2020 Në ora: 21:37
Foto Ilustrim

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar kundër Ministrisë së Shëndetësisë për keqmenaxhimin e situatës me koronavirusin. Nga ASH nëpërmjet një kumtese thonë se qytetarët kanë mbetur në mëshirë të fatit, pa trajtim adekuat shëndetësor, pa punë dhe varfëria dita ditës troket në familjet tona.

“Sipas të gjitha statistikave, Maqedonia e Veriut është me vdekshmëri më të madhe nga COVID19 dhe përveç problemeve të shumta, familjarët janë të detyruar të ndajnë mjete të majme për funeralet e të vdekurve nga kjo sëmundje”.

“Sipas informatave që i kemi, kompani të ndryshme funeralesh e kanë keqpërdorur situatën dhe për shërbimet e tyre kanë kërkuar nga 12.000 deri në 35.000 denarë, çmim ky i lartë, sepse ka pasur nevojë për një qese të veçantë PVC, në të cilën është mbështjellë trupi i të ndjerit, si dhe një arkivol prej kallaji, duke u bazuar në një far protokolli, i cili sipas Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor nuk ekziston fare”.

“Ne si Aleancë për Shqiptarët pyesim: Pse Ministria e Shëndetësisë nëntë muaj ka lejuar një gjë të tillë, kur e ka ditur që nuk ka protokol të tillë dhe ka lejuar plaçkitjen e qytetarëve?! Në çfarë llogarie janë paguar parat nga ana e qytetarëve, për qesen PVC dhe Arkivolin me trupin e të ndjerit nga KOVID 19?! Cilat janë kompanitë e kontraktuara nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, për plaçkitjen e qytetarëve?!”, thuhet në njoftimin e ASH-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat