Shkupi e Sofja shqyrtojnë Marrëveshjen dypalëshe të vitit 2017

Maqedonia

Shkupi e Sofja shqyrtojnë Marrëveshjen dypalëshe të vitit 2017

Më: 6 dhjetor 2020 Në ora: 15:57
Ilustrim

Shkupi e Sofja po shqyrtojnë udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes dypalëshe të vitit 2017. Qeveria konfirmon për Alsat se roli i udhërrëfyesit do të ishte ndjekja precize e zbatimit të marrëveshjes dhe se gjithçka që ka nevojë të sqarohet dhe të detajohet mund të bëhet me dokument shoqërues.

Dy palët bisedojnë për atë se si të shpejtohet ndërtimi i Korridorit 8, si të ndalet gjuha e urrejtjes, si të shpejtohet puna e komisionit të historisë. E gjitha në drejtim të vendosjes së besimit në proces. Kujtojmë se nuk ka pasur e as nuk do të ketë negociata për identitetin, popullin dhe gjuhën maqedonase. Këto janë fakte ndërkombëtarisht të vërtetuara – njoftojnë nga Qeveria.

Ministri i Jashtëm, Osmani tha se bëhet fjalë për projekte konkrete në të gjitha fushat, të cilat janë vendosur në një plan veprimi për t’i ndjekur në bazë javore.

Një ditë më parë, kryeministri, Zaev paralajmëroi se falë udhërrëfyesit, për të cilin do të garantojë BE-ja, Sofja mund t’ia lejojë vendit fillimin e negociatave, por me të drejtën për ta bllokuar gjatë procesit të mëtejshëm, nëse vendi e shkel marrëveshjen. Megjithatë nga Sofja e Brukseli nuk morëm përgjigje. E derisa vetëm disa ditë na ndajnë nga vendimi përfundimtar i BE-së për fillim ose jo të negociatave për anëtarësim me vendin, LSDM dhe VMRO DPMNE vazhdojnë përplasjet.

E vërteta gjithmonë del në shesh. E vërteta është se VMRO DPMNE-ja është parti anti-shtetërore, anti-evropiane, që shpërndan lajme të rreme dhe dezinformata me të cilat i varros përpjekjet për integrim euro-atlantik të shtetit, vetëm për interesa personale – deklaroi Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.

Mbiemrin “maqedonase” e ka vënë në tavolinën e negociatave me Bullgarinë. Ai Zaev që betohej në më të dashurën kur bëhej fjalë për emrin e Maqedonisë dhe hoqi dorë, kemi frikë se tani do të heq dorë nga më e shenjta për gjithë ne, historia, gjuha dhe identiteti maqedonas – u shpreh Aleksandar Pandov, VMRO DPMNE.

Ndërkohë historiani bullgar, Naum Kajçev i cili është pjesë e komisionit të përbashkët ka hedhur poshtë pretendimet se pala bullgare refuzon kategorikisht përdorimin e termit “maqedonase”. Ai për mediat bullgare fajësoi kolegët maqedonas si shkaktarë për dështimin e takimit të fundit, në të cilën jo vetëm që nuk u arrit progres për çështjen e Goce Dellçevit, por u shënua regres në çështjen e Car Samoilit. Nisjen e bisedimeve me BE-në, Sofja e kushtëzon me respektimin e formulimit të gjuhës në përputhje me Marrëveshjen e 2017-tës, me udhërrëfyes preciz për zbatimin e marrëveshjes dhe heqje dorë nga pretendimet për pakicë maqedonase në Bullgari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat