Vazhdojnë kreditë pa interes, 31 milion euro kredi, për rreth 2 mijë ndërrmarje

Maqedonia

Vazhdojnë kreditë pa interes, 31 milion euro kredi, për rreth 2 mijë ndërrmarje

Më: 7 dhjetor 2020 Në ora: 14:59
Fatmir Bytyqi

Banka për Zhvillim shpalli  thirrjen publike për kredi pa interes, e cila kap një fond kreditimi prej 31 milion eurosh e ka si qëllim të ndihmojë rreth 2,000 ndërmarrje vendore për të kapërcyer më lehtë krizën financiare të shkaktuar nga Covid 19. Në thirrjen publike që do të zgjasë 14 ditë, mund të aplikohet që nga mesnata e 16 dhjetorit. Kërkesat do të shqyrtohen sipas orës e datës së aplikimit dhe kreditë do të jepen sipas parimit “Kush vjen i pari, shërbehet i pari”, sigurisht me plotësimin e kushteve të kërkuara.

“Kjo masë është vazhdimësi e dy linjave të tjera kreditore Covid 1 dhe 2 me të cilat u siguruan kredi pa interes prej 13.5 milionë eurosh për 1376 kompani duke mundësuar  ruajtjen e afro 18 miJë vendeve të punës. Tani në mënyrë plotësuese përforcojmë mbështetjen për kompanitë, me rreth 2.5 herë më shumë fonde për financimin e shpenzimeve aktuale dhe likuiditetin më të madh të ndërmarrjeve krahasuar me linjat e mëparshme të kreditimit pa interes. Ne presim që në këtë thirrje të aplikojnë  rreth 2,000 subjekte.”, tha Fatmir Bytyqi, Zëvendës Kryeministër për Çështje Ekonomike.

“Të gjitha ndërmarjet vendore që do të aplikojnë,  duhet të kenë  rënie të të ardhurave me 20 % nga Prilli deri në Gusht,  krahasuar me vitin e kaluar. Kreditë duhet të shlyhen për tre vjet, me grejs  periudhë prej  gjashtë muajsh. Shuma minimale është 3,000 euro, ajo maksimale është 5,000 euro për një tregtar dhe zejtar individual dhe 15,000 euro për ndërmarrjet mikro dhe të vogla.”, tha Kire Naumov, Drejtor i Bankës për Zhvillim-RMV.

Nga kjo shumë, 30 milion euro janë siguruar nga Bashkimi Evropian përmes programit IPA.

“Kjo pako është vetëm pjesë e një ndihme më të madhe që BE ia ndan Maqedonisë së Veriut, që nga fillimi i pandemisë. 73 milionë euro janë aprovuar në formë grantesh, si ndihmë për spitalet dhe për zhvillim si dhe si dhe për punësimin e të rinjve. BE mbështet ekonominë e vendit tuaj edhe me 160 milion euro ndihmë makro financiare në formë huazimesh të leverdisshme.  Përvec kësaj është edhe plani investues ekonomik për Ballkanin Perendimor, që përbëhet nga një ofertë prej 9 miliardë eurosh si mbështetje për investime të caktuara për përmirësimin afatgjatë socio ekonomik të rajonit nga Pandemia.”, tha David Geer, Ambasador i BE-së në RMV

Do të ketë gjithashtu hua me komponentë grandesh prej 30%, për kompanitë e drejtuara nga gratë, për të rinjtë deri në 29 vjeç, kompanitë e eksportit që kanë të ardhura nga jashtë për më së paku 50%,  dhe ato që merren me ekonomi të gjelbër, pra për kompanitë  që punojnë në fushën e modernizimit, dixhitalizimit dhe inovacionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat