Në nëntor është rritur numri i rasteve të fjalorit urrejtës

Maqedonia

Në nëntor është rritur numri i rasteve të fjalorit urrejtës

Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 13:55
Ilustrim

Komiteti i Helsinkit për të drejta të njeriut ka verifikuar gjithsej 112 paraqitje për muajin nëntor të këtij viti, që, sipas tyre, paraqet rritje për 10 për qind krahasuar me muajin paraprak. Pjesa më e madhe e rasteve janë të lidhura me fjalorin urrejtës në bazë të përkatësisë etnike.

“Retorika negative këtë muaj eskaloi në mediumet sociale që kontribuoi për numrin e lartë të paraqitjeve për fjalor urrejtës. Për fat të keq, këtë periudhë jemi dëshmitarë të rritjes së nacionalizmit ekstrem dhe diskriminimit në baza të ndryshme të cilat rezistojnë edhe përkundër vetëdijësimit për dëmin dhe regresin që e shkaktojnë ato. Gjithashtu, në bazë të analizës sonë, përsërisim se popullata më e re (18 – 26 vjeç) është më shumë e ekspozuar ndaj manipulimeve dhe dezinformatave dhe shpesh herë është kategoria më aktive e cila përdorë fjalor urrejtës në mediumet sociale”, thuhet në raportin mujor të Komitetit të Helsinkit.

Nga atje shtojnë se fjalori urrejtës në bazë të përkatësisë etnike është në rritje të vazhdueshme dhe shënon numër rekord të paraqitjeve, përkatësisht 57 për qind e të gjithë rasteve të regjistruara janë në këtë bazë.

“Porosia e Komitetit është se jetojmë në një pjesë të botës e cila shumë herë në të kaluarën është përballur me pasoja shkatërruese të mostolerancës dhe produkteve të saj: urrejtja dhe dhuna. Prandaj, çdoherë dhe çdo kund duhet të përsëritet se toleranca është kyçe për mirëmbajtjen e paqes dhe për përparimin ekonomik dhe social të të gjithë njerëzve, e kjo posaçërisht ka të bëjë me shoqëritë të cilat janë multietnike dhe multikulturore. Nga ana tjetër, nuk duhet të injorohet pabarazia sociale, diskriminimi dhe fjalori dhe veprat nga urrejtja, të cilat dalin mu nga mostoleranca në raport me të tjerët”, potencoi Komiteti i Helsinkit.

Komiteti i Helsinkit për të drejta të njeriut i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, posaçërisht Ministrisë së Punëve të Brendshme, urgjentisht të ndërmarrin masa që janë në kompetenca të tyre për sanksionim të këtij fenomeni – përkatësisht punë më intensive me organizatat qytetare dhe fushatë publike për edukim shtesë të qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat