Hasanbeg, rrugët ende të pa ndërtuara pas vërshimeve të vitit 2016

Maqedonia

Hasanbeg, rrugët ende të pa ndërtuara pas vërshimeve të vitit 2016

Më: 15 dhjetor 2020 Në ora: 16:23
Foto ilustrim

Këto pamje të filmuara nga kamera e Alsat nuk janë nga vërshimet e vitit 2016 në Hasanbeg por janë të sotshme. Nëpër këtë baltë, hasanbegasit kalojnë për çdo ditë për të kryer obligimet e përditshme. Shprehen të revoltuar dhe thonë se punimet e filluara për ndërtimin e rrugës pesë ditë para zgjedhjeve parlamentare, ishin vetëm tallje me banorët që jetojnë në këtë pjesë. Bëhet fjalë për rrugën Metodia Andonov Çento dhe Hristofor Xhefaroviç.

“Projekti është bërë i papërshtatshëm për këtë rrugë sepse kjo rrugë është rrugë fshati. Kur vijnë dy makina nuk mund të kalojnë, ose pasqyrat duhet me i mbledh ose duhet të ngjitesh në trotuar. Kjo nuk është në rregull. Ne na kanë harru partitë politikë, kur vjen puna për zgjedhje të gjithë këtu i keni”.

“Kur është puna të vijnë e  të na ndërtojnë rrugën ata gjejnë metoda dhe nuk vijnë, nuk kanë kohë ose nuk ju intereson për ne. Duhet të ju interesojë derisa ne paguajmë sepse ata varen prej nesh. Në momentin që nuk dëshirojnë të na shërbejnë atëherë mos të na marrin paratë kot”.

Sipas banorëve, projekti i rrugëve në fjalë kishte paraparë edhe ndërtimin e kanalizimit atmosferik por i njejti mbeti vetëm në letër.

“Problemi është te kanalizimi atmosferik që nuk ka, është, po asnjë shtëpi nuk është e lidhur në kanalizim. Kryetari I komunës ka qenë disa herë por me premtimet e tij tashmë jemi mësuar, nuk ka marr ndonjë masë, ka filluar gati një vjet kjo rrugë dhe nuk është e përfunduar”

“Motoja e Zaevit ishte jetë për të gjithë, por siç po e shihni kjo jetë nuk është për të gjithë. Në rrjetet sociale po e shohim se çka po punohet në vendet e tjera”.

Banorët gjithashtu ankohen se për realizimin e punimeve ndërtimore në këtë pjesë tashmë janë ndërruar disa kompani ndërtimi dhe asnjëra prej tyre nuk ka kryer punët si duhet. Nga Komuna e Gazi Babës, deri në këto momente nuk dhanë asnjë përgjigje pse janë ndërprerë punimet dhe kush është përgjegjës për mos realizimin e projektit të duhur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat