Filipçe: Masat po japin rezultate, ulet numri i pacientëve

Maqedonia

Filipçe: Masat po japin rezultate, ulet numri i pacientëve

Më: 20 dhjetor 2020 Në ora: 09:00
Venko Filipçe

“Festo me përgjegjësi”, vazhdon të mbetet kryefjala e festave të fundvitit, të cilën veçanërisht Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe e përsërit nëpër çdo paraqitje të tij. Së fundmi ai nga Kavadari, porositi që të mos ketë grumbullime, të qëndrohet në shtëpi dhe të festohet me përgjegjësi. Theksoi se masat po japin rezultate dhe se numri i pacientëve që pranohen nëpër spitale po ulet.

“Bëj apel që këtë festë ta festojmë, jo siç e bëjmë tradicionalisht me grupime. Të qëndrojmë të gjithë nëpër shtëpi, të ndihmojmë që me mosgrumbullim, të tejkalohet edhe ky rrezik. Unë besoj se masat do të japin rezultate edhe më të mira, ulet numri i pacientëve që pranohen nëpër spitale dhe besoj se nëse qytetarët vetëdijësohen do të ndihmojnë në mënyrë serioze për punonjësit shëndetësorë”.

Këto komente Filipçe i bëri nga Kavadari, me rastin e Donacionit në vlerë prej 1 milion Denarëve, të cilën Fondacioni “Nikolla Jançev” e dhuroi për spitalin e Kavadarit. Këto mjete do të përdoren për të siguruar stacion qendror për oksigjen, në spitalin e ri modular.

Thirrjet për festim me përgjegjësi vijnë edhe përskaj masave të reja të qeverisë, të cilat kanë hyrë në fuqi tashmë dy ditë, e që parashohin shkurtim të orarit të punës së lokaleve deri në ora 18, dhe  ndalim për organizim dhe mbajtje të kremtimeve të festave të ardhshme të Vitit të Ri dhe festave fetare. Masat do të jenë në fuqi deri më 20 janar të vitit të ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat