Mashtruan gjatë shit-blerjes së makinave të shtrenjta, padi penale për katër persona nga Shkupi

Maqedonia

Mashtruan gjatë shit-blerjes së makinave të shtrenjta, padi penale për katër persona nga Shkupi

Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 12:03
Foto Ilustrim

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se katër persona përmes kryerjes së veprës penale “mashtrim” kanë përfituar pasuri të paligjshme në vlerë prej 5,472,790 denarëve. Për kryerjen e veprës penale akuzohen personat R.A. (27) M.A. (18), K.K. (29) dhe N.A. (29), transmeton Alsat.

“Personat dyshohet se veprën penale e kanë kryer në mënyrë identike me datë 01.11.2019, 09.01.2020, 11.08.2020, 06.10.2020, 21.10.2020, 26.10.2020, 11.11.2020, 27.11.2020 dhe 30.11.2020. Pasi kanë parë shpallje të publikuara për shitjen e automjeteve të shtrenjta, kanë telefonuar dhe në kontakt me palët e dëmtuara janë dakorduar për takim në një noter publik për të kryer obligimet për shit-blerje të automjetit.

Pas takimit në noteri, personat janë dakorduar me palën e dëmtuar që të deklarojnë në kontratë një shumë parash që nuk do të tejkalojë rregulloret ligjore për pagesë në të holla, ndërsa për pjesën tjetër të shumës kanë premtuar se do ta paguajnë me para në dorë. Pas nënshkrimit të kontratës, mashtruesit kanë dërguar pronarët e automjeteve në vende të ndryshme me arsyetimin se një person i tretë do të vinte dhe do të sillte paratë e mbetura, por në një moment të caktuar, duke përfituar nga neglizhenca e të dëmtuarve, kanë marrë çelësat e tyre dhe janë larguar me automjetin”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Departamenti për Çështje Penale pranë Ministrisë për Punë të Brendshme në Aerodrom dhe Draçevë pranë SPB-Shkup ka ngritur padi penale kundër këtyre personave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat