(Pa) shtetësia

Maqedonia

(Pa) shtetësia

Nga: Muhamed Halili Më: 31 dhjetor 2020 Në ora: 18:45
Muhamed Halili

Një nismë e koalicionit AASH-Alternativa për rregullimin e statusit të personave që nuk kanë shtetësi i nxehu gjakrat e partive më të mëdha politike maqedonase LSDM-VMRO dhe të dyjat njëzërit gati me të njejtin vokabular deklaruan se në esencë nuk pajtohen me propozimin e koalicionit që ata që nuk kanë shtetësi e që kanë pasur shtetësinë e republikave tjera dhe të ish Jugosllavisë e që deri më 8 shtator 1991 kanë jetuar në territorin e Republikës së Maqedonisë mund të kërkojnë të fitojnë shtetësinë maqedonase(sipas Marrëveshtjes së Prespës votuar unanimisht nga partitë shqiptare!) në bazë të dëshmisë së tre dëshmitarëve.

Pasi amandamentin e citoj sipas shkrimeve të mediumeve dhe nuk kam informata të bollshme rreth formulimit të saktë të tij konsideroj se do të ishte dashur të bëhet një formulim më i saktë i gjithë asaj që duhet të arrihet si qëllim.

E gjithë e keqja e kësaj pune rrënjët i ka në Ligjin për shtetësinë, botuar në Gazetën zyrtare të RM nr. 67 , më 03.11.1992, pikërisht në nenin 26 të të njejtin ligj, ku mes tjerash shkruhet:

“Shtetasit e republikave tjera të ish RSFJ dhe shtetasit e ish RSFJ të cilët kanë paraqitur vendqëndrim në territorin e Republikës së Maqedonisë, mund të fitojnë shtetësinë e Republikës së Maqedonisë poqese në afat brenda një viti pas hyrjes në fuqi të këtij ligji parashtrojnë kërkesë, poqese kanë burime të përhershme jetese, janë të moshës madhore dhe deri në paraqitjen e kërkesës ligjërisht kanë qëndruar në territorin e Republikës së Maqedonisë më së paku 15 vite”.

Një kohëqëndresë aq e madhe as atëherë parashihej dhe as sot parashihet në ndonjë vend evropian por qëllimi i partive politike maqedonase ishte reduktimi i numrit të shqiptarëve në shtetin e ri të pavarur siç u bë Republika e Maqedonisë. me arsyetim se personat që ishin shtetas të RSFJ dhe me shtetësi të republikave tjera por me vendqëndrim në Maqedoni shumica ishin kosovarë! Poqese sot e kësaj dite analizohen rregullativat ligjore për procesin e naturalizimit në shumë vende të BE-së dhe jashtë sajë si në Bullgari, Suedi, Norvegji, Danimarkë, Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, Slloveni kohëzgjatja e vendqëndrimit të kërkuar për procesin e naturalizimit është diku 3. Diku 4 ose 5 vite qëndrim. Ajo që u kërkua atëherë në ligjin e Maqedonisë i tejkalon mbi tri herë kriteret evropiane.

Këtë propozim ligj të hartuar nga LSDM nën dirigjimin e Gligorovit por të përkrahur fuqimisht dhe modifikuar nga VMRO-DPMNE Grupi parlamentar PPD-PDP dhe partitë PPD dhe PDP jo vetëm që nuk e pranuan por me vite edhe e kontestuan në instancat ndërkombëtare si në Këshillin e Evropës dhe Parlamentin Evropian dhe bisedimet tripalëshe Qeveria-Ahrensi-PPD.

Në bazë të këtij neni në mënyrë arbitrare iu morr e drejta një numri të madh të shqiptarëve që kishin vendqëndrim në Maqedoni por që ishin shtetas të RSFJ, kisihin pasuri të patundshme në këtë vend, ishin shkolluar, kishin kryer madje shërbimin ushtarak në Jugosllavi por që e kishin shtetësinë republikane ndryshe nga ajo e Maqedonisë.

Miratimi i këtij ligji me konsensusin e plotë LSDM-VMRO-DPMNE dhe kundërshtimin e rreptë të koalicionit PPD-PDP ishte vazhdimësi e miratimit të Kushtetutës së vitit 1991 ku u vunë themelet e krijimit të shtetit nacional maqedonas dhe forcimit të diskriminimit institucional të shqiptarëve në Maqedoni.

Në nenin 11 të po këtij ligji shkruhej se “ ...Në përjashtim të nenit 7 të këtij ligji, i huaji i cili i ka mbushur 18 vite mundet me naturalizim të fitojë shtetësinë e Republikës së Maqedonisë nëse kjo paraqet interes të posaçëm shkencor, ekonomik, kulturor dhe nacional dhe posaçërisht për të gjithë maqedonasit sipas prejardhjes të cilët jetojnë jashta kufinjëve të Republikës së Maqedonisë”.

Në bazë të këtij neni një ministër i punëve të brendëshme të Maqedonisë në vitet 1988-2001 i pajisi me shtetësi maqedonase disa mijëra maqedonas që jetojnë e punojnë në Australi, Kanada e Amerikë, e gjetiu.

Kjo pjesë diskriminuese e ligjit është anuluar me ndryshimet e ligjit në vitin 2004.

Me ndryshimet e ligjit në vitin 2004 në pamje të parë duket se krijohen lehtësime për fitimin e shtetësisë maqedonase-(gjithnjë sipas Marrëveshtjes së Prespës) por në esencë shtohen klauzula vështirësuese që zbatuesi i ligjit i ka keqpërdorur gjatë shqyrtimit të kërkesave duke i refuzuar pa ndonjë bazë dhe arsyetim thelbësor.

Në nenin 14 të ligjit ( Gazeta zyrtare e RM nr. 08 e 23.03. 2004 shkruhet se “Shtetasit e repubikave tjera në ish RSFJ si dhe shtetasit e ish RSFJ të cilët më 8 shtator 1991 kanë paraqitur vendqëndrim, dhe deri në parashtrimin e kërkesës jetonë në territorin e Republikës së Maqedonisë dhe kanë lidhje të vërtetë dhe efektive me Republikën e Maqedonisë mund të fitojnë shtetësinë e Republikës së Maqedonisë nëse në afat prej 2 vitesh nga hyrja në fuqi e ligjit parashtrojnë kërkesë, poqese kundër tyre nuk është ngritur procedurë penale në Republikën e Maqedonisë për vepra penale me të cilat cënohet siguria dhe mbrojtja e Republikës së Maqedonisë dhe i plotësojnë kushtet e nenit 7, alinea1, pikat 1 dhe 6 të këtoj ligji.

Edhe pse pjesa e dytë e ligjit flet qartë për procedura të ngritura penale, organet që kanë vendosur për këtë çështje refuzimin e kërkesave e kanë arsyetuar me rrezikun që personat e refuzuar e “kanë paraqitur” për stabilitetin e shtetit.

Pra, propozuesit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për shtetësi kanë mundur ta kopjojnë nenin 14 të ligjit të vitit 2004 dhe ta paraqesin si propozim për ndryshim të ligjit duke caktuar një afat tjetër për parashtresa.. Nevoja për vërtetimin e vendqëndrimit nga tre dëshmitarë nuk qëndron, sepse sipas ligjit për shtetësi, nenit 22 “---Evidenca për shtetasit e Republikës së Maqedonisë dhe shtetasit e huaj të cilët janë të lindur në territorin e Republikës së Maqedonisë mbahet në Ministrinë e punëve të brendëshme”.

Pra, të gjitha gjeneratat e lindura në RSFJ , republikat dhe krahinat e saja janë të rregjistruarë atë kohë në librat amë nga ana e Ministrive të brendëshme dhe për ato ekzistojnë të dhëna të sakta për datën dhe vendin e lindjes, pastaj vendin e shkollimit të tyre, kryerjen e shërbimit ushtarak, pasuritë e rregjistruara në librat e kadastrave, fletërregjistrimet e rregjistrimit të popullatës dhe ekonomive shtëpiake (Enti i Statistikës), tatimet e paguara shtetit e kështu me rradhë. Personat në fjalë kanë qenë shtetas të RSFJ-së e cila u shpërbë dhe Komisioni Badenter që konstatoi se Jugosllavia u shpërbë dhe nuk ekziston më si subjekt ndërkombëtar është dashur ta definojë së pari çështjen e shtetësisë e pastaj edhe gjërat tjera.

Uljen e numrit të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë institucionet përkatëse të shtetit në bashkëpunim me elitat politike maqedonase e kanë provuar ta bëjnë disa herë duke i përjashtuar shqiptarët nga listat zgjedhore. Kështu për shembull në vigjilje të zgjedhjeve të dyta parlamentare shqiptarët në mënyrë drastike u përjashtuan nga listat zgjedhore si shkak i “mospasjes” së shtetësisë. Për shembull numri i votuesve në njësinë zgjedhore 73 në Tetovë nga 13.100 në vitin 1990 ishte reduktuar në 4800 përderisa numri i votuesve në njësinë zgjedhore 72 nga 12.850 në 4400. Pasi pasoi intervenimi i PPD-së në Këshillin e Evropës në Strazburg ku në cilësinë e koordinatorit të Grupit parlamentar e informova drejtorin politik të Këshillit të Evropës zotin Fuhrer për padrejtësite e bëra, Gligorov në takimin me ish kryetarin e PPD-së A. Aliti pranon të shënohen në listat zgjedhore edhe personat pa shtetësi të regjistruar por me vendqëndrim të përhershëm gjatë kohës së federatës jugosllave në Maqedoni.

Për këto ngjarje diplomati gjerman Geert Ahrens, udhëheqës i Grupit të punës për Maqedoni në Konferencën e Hagës si dhe udhëheqës i bisedimeve tripalëshe Qeveri-PPD-PDP-Ahrens në librin e tij “Diplomacia në tehun e thikës” fq 440 shkruan “...në përgatitjen për zgjedhje Grupi i punës (i Konferencës së Hagës-vërejtja ime!) në mënyrë intensive punonte me njërin nga problemet më të rrezikshme, atë të shtetësisë. Kjo çështje ishte lidhur me rregjistrimin e popullatës dhe u kthye sërish me një hakmarrje. Kjo shkaktoi mundësinë e bojkotimit të zgjedhjeve nga ana e shqiptarëve e cila do të mund të sjellte konsekuenca për paqën etnike në vend. Shqiptarët thonin se 140.000 banorë ishin larguar nga listat zgjedhore sepse ata nuk mundin të nxjerrin çertifikata shtetësie, Fërçkovski vazhdonte të flasë për 800 raste të pazgjidhura, dhe tash

118.000 shqiptarë etnikë rezident të cilët ishin shtetas të Jugosllavisë por jo të Maqedonisë”.

Ky problem i pazgjidhur i shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë ka qenë i pranishëm deri ditët e vona dhe ka paraqitur problem serioz në gëzimin e të drejtave të njeriut jo vetëm për shqiptarët (në veçanti) por për shumicën e jomaqedonasve deri ditën e sodit.

Sipas informatave të UNHCR Republika e Maqedonisë nuk disponon me numra të sakta të popullatës pa shtetësi. Por sipas të dhënave të tyre tash romët prijnë me numrin më të madh të popullatës pa shtetësi (diku mbi 13.000) për shkak të mosparaqitjes së rezidencës si popullatës dikur nomade, pastaj pengesave administrative të rregjistrimit të fëmijëve të posalindur, moskujdesin e shtetit ndaj tyre, përbuzjen, diskriminimin e kështu me rradhë.

Vështruar nga këto fakte Qeveria është dashur që të bëjnë plan operativ për zvogëlimin e numrit të personave pa shtetësi, ashtu siç bëjnë edhe vendet anëatare të BE-së në përputhje me Konventën e vitit 1954 për statusin e personave pa shtetësi, Konventën e vitit 1961 për zvogëlimin e numrit të personave pa shtetësi të cilat konventa përcaktojnë standardet minimale për trajtimin e personave pa shtetësi, siç janë e drejta për edukim, punësim, strehim, ndihmë administrative dhe dokumente udhëtimi.

Nëse me kujdes e analizojmë aksionin e Komisarit të OKB për refugjatë për zvogëlimin e numrit të personave pa shtetësi në periudhën 10 vjeçare prej vititi 2014-2024 mund të përfundojmë se Qeveria e Maqedonisë e ka për obligim të merr masa përkatëse për zvogëlimin e numit të personave pa shtetësi deri në zgjidhjen e tërësishme të problemit deri në vitin 2024.

Partitë poltike dhe deputetët e tyre (veçanërisht partitë shqiptare të koalicionit qeveritar) më tepër duhet të kujdesen në zgjidhjen e këtij problemi të personave që me pa të drejtë u mohohen të drejtat elementare njerëzore se sa vëmendjen ta përqëndrojnë në gjëra terciare siç ishin finansimi i partive politike dhe dyshtetësia e kandidatëve për ambasadorë sepse “...pashtetësia është një çështje që lehtë mund të zgjidhet dhe pengohet-një çështje e vullnetit politik për ndryshimin e stausit dhe jetës së personit”-sië ka deklaruar Komisioneri i lartë për refugjatë Grandi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat