Rruga Shkup-Bllacë i’a humb Maqedonisë tregun e Kosovës

Maqedonia

Rruga Shkup-Bllacë i’a humb Maqedonisë tregun e Kosovës

Më: 4 janar 2021 Në ora: 12:27
Foto ilustrim

Kosova mbetet partnerja kryesore tregtare e Maqedonisë së Veriut, pasi është shteti me të cilin Maqedonia e Veriut eksporton më shumë mallra sesa importon. Vetëm në periudhën janar-tetor të vitit 2020, Maqedonia e Veriut ka eksportuar mallra në Kosovë në vlerë prej 190 milionë eurosh, ndërkaq ka importuar mallra në vlerë prej 26 milionë euro.

Autoritetet në Maqedoni të Veriut thonë se autostrada Shkup-Bllacë pritet të përfundojë brenda tre vjetësh, ndërkaq faza e parë e ndërtimit të kësaj autostrade, që e lidh me Kosovën, do të përfundojë gjatë vitit 2021. Por, afaristi Menderes Kuçi paralajmëron se vonesat në ndërtimin e kësaj autostrade, mund të shtyjnë Kosovën – partneren kryesore tregtare të Shkupit zyrtar, që të kërkojë tregje të reja. Vonesat në ndërtimin e kësaj autostrade janë për shkak të shpronësimit të tokave në fshatin kufitar të Bllacës, ku u ngadalësua edhe ndërtimi i dy kilometrave të para të autostradës, ndonëse kontrata për ndërtimin e të njëjtës u nënshkrua në janarin e vitit 2020. Ministri i Transportit dhe Lidhjeve në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Bllagoja Boçvarski në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tregon se ka pasur shumë probleme në shpronësimin e tokave në fshatin Bllacë – përmes së cilës do të kalojë autostrada dhe shton se tashmë janë zgjidhur mbi 90 për qind e problemeve të shpronësimit. Sipas tij, pranverën e vitit të ardhshëm pritet të intensifikohen punimet, me qëllim që të përfundojë faza e parë e ndërtimit të kësaj autostrade. “Unë pres që me një dinamikë edhe më të madhe të punohet gjatë pranverës së vitit të ardhshëm dhe më 2021 të përfundojë tërësisht faza e parë e autostradës Shkup-Bllacë, që lidhet me autostradën në Kosovë”, thotë Boçvarski.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat