Shkolla në RMV nis me mësim të alternuar, gjimnazistët kërcënojnë me bojkot

Maqedonia

Shkolla në RMV nis me mësim të alternuar, gjimnazistët kërcënojnë me bojkot

Më: 21 janar 2021 Në ora: 17:36
Arlinda Bafqari

Nxënësit në shkollën fillore “26 korriku” në Shkup mbanin radhën për të hyrë në shkollë të shoqëruar nga prindërit të cilët mësimin gjatë semestrit të parë, e vlerësojnë të mangët dhe propozojnë që të gjithë t’i kthehen bankave me sistemin e vjetër të mësimit. 

"Gjysmë vjetori i dytë do jetë sikur i pari. Me pandeminë, mbyllur, Besoj se do jetë njësoj. Por neve si prindër kemi më shumë angazhim. Normal edhe mësuesit dhe shkolla mundohen por çfarë mund të bëjnë për një orë, apo dy. Mësimi patjetër të kthehet në normale. Sidomos për fëmijët e vegjël që mësojnë shkrim lexim. Për të mëdhenjtë edhe mësimi online s’është shumë keq por nuk është edhe mirë", shprehet një prind.

"E kemi pru nipin. Është në të dytën klasë. Shumë mirë deri tash ka shkuar. Jemi të kënaqur. Ishalla s’do të ketë asnjë problem. Të gjithë duhet të kthehen në shkollë se kështu është më mirë. Por sëmundja po e bën të veten", thotë një i moshuar.

Mësuesit përsëri do të kenë sfidë mësimin me turne për shkak të numrit të lartë të nxënësve dhe protokolleve që i detyrojnë të ketë vetëm një nxënës në një bankë. 

"Ishte diçka e jashtëzakonshme nga ajo që e kishim kaluar, por në bashkëpunim edhe me prindërit, ia kaluam mirë. Shpresojmë që edhe më tutje do të kemi një vit të suksesshëm. Sot është dita e parë, dhe tani po i takoj për herë të parë...I kemi të ndarë nxënësit në dy grupe. Kemi edhe palën rome. Nuk e kemi të rëndë një herë për njëherë, edhe pse kemi numër të madh të nxënësve. Por janë të ndarë. janë prezent, të informuar dhe adaptuar me të gjitha që i kaluam", tha Arlinda Bafqari, mësuese.

Drejtori i shkollës “26 korriku” thotë se nga radhët e nxënësve që ndjekin mësimin me prezencë fizike nuk kanë pasur të infektuar, ndërkohë që në radhët e mësuesve janë shënuar disa raste.

"I kemi 2100 nxënës. Me prezencë fizike punohet me klasat prej të parës deri të tretën ku gjithsej janë 750 nxënës. Është numër i madh i nxënësve. Në fillim kishim pak probleme edhe me internetin por e tejkaluam. Gjatë kësaj periudhe u furnizuam edhe me kompjuterë të ri. Kemi pas të infektuar kolegë, të punësuar, por nxënës jo. Por i kemi zbatuar protokollet e ministrisë së shëndetësisë", tha Driton Ganiu, drejtor shkolle.

Nxënësit nga klasa e katërt deri në klasën e nëntë të kësaj shkolle, por edhe shkollave të tjera vijojnë mësimin online. Por gjatë ditëve të kaluar gjimnazistët njoftuan se do të bojkotojnë mësimin duke kundërshtuar maturën shtetërore, apo provimin i cili u shërben për regjistrim në fakultet. Nxënësit kanë kërkuar përgjysmimin e lëndëve për provim për shkak se kanë pasur vështirësi me mësimin online, por ministria nuk ka pranuar kërkesën. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat