A po mendon Zaevi ta ndërrojë Kasamin me Gashin? Zejdi pohon dëshirën e LSDM-së, Hoxha nuk ia ka frikën këtyre fjalëve

Maqedonia

A po mendon Zaevi ta ndërrojë Kasamin me Gashin? Zejdi pohon dëshirën e LSDM-së, Hoxha nuk ia ka frikën këtyre fjalëve

Më: 27 janar 2021 Në ora: 16:03
Skender Rexhepi – Zejdi

Lidhja Socialdemokrate lakmon që ta marrë Alternativën në Qeveri, e ta largojë Lëvizjes Besa, kështu tha në Click Plus sekretari gjeneral i kësaj partie, Skender Rexhepi.

Ju po thoni që LSDM-ja dëshiron që ju të hyni brenda, dhe ta nxjerrë Besën, për arsye se keni më shumë…?

Skender Rexhepi: “Ato spine nuk i kemi bërë ne… I ka bërë struktura e tyre..”.

S’po ia mvesh askujt, ju po e thoni…

Skender Rexhepi: “Pikërisht ashtu po e them… pyetja juaj ishte që del njëra, futet tjetra. Nga aspekti i deputetëve është i barabartë”.

Zyrtarisht LSDM-ja nuk ka bërë ndonjë kërkesë, por Zejdi tregon se është biseduar që partia e Zaevit do të kishte dashur kalim të Alternativës në Qeveri. Megjithatë kjo nuk bëhet nëse oferta nuk do të ishte edhe për Aleancën për Shqiptarët.

“Ne kemi koalicioni me Aleancën dhe ne nesër mund të bëhemi pjesë e pushtetit vetëm me një ofertë që do t’i bëhej e përbashkët Alternativës dhe Aleancës”, deklaroi Skender Rexhepi – Sekretar Gjeneral i Alternativës.

Lëvizja Besa ka betonuar mandatin e Qeverisë aktuale, thotë sekretari gjeneral i kësaj partie, Arjanit Hoxha, duke pohuar se kanë marrëdhënie korrekte brenda koalicionit qeverisës me LSDM-në

Arjanit Hoxha: “E kuptoj frikën e opozitës së rrejshme, pasi që nuk është në rregull të deklarohesh opozitë brenda në Kuvend, ndërsa natë e ditë të rrish në dyert e qeverisë për të hyrë brenda qeverisjes”.

Kur flasim për frikën, a ndiheni ju të rrezikuar kur kuptoni se ka bisedime mes LSDM-së dhe Alternativës.

Arjanit Hoxha: Aspak. Lëvizja Besa ndihet shumë komode për shkak të kapacitet dhe aftësive të veta në kuadër të koalicionit, detyrave dhe obligimeve që kemi marrë, kështu që nuk kemi asnjë lloj shqetësimi nga këto qasje”.

E kur bëhet fjalë për këto lëvizje, socialdemokratët janë më të kujdesshëm në pohimet e tyre, edhe pse nënkryetari Muhamed Zekiri nuk e mohon se pret që parti të tjera t’i bashkohen pushtetit.

“Me politikat tona dhe reformat që e çojnë vendin përpara si dhe lëvizjet strategjike të qeverisë drejtë BE-së, më herët edhe me anëtarësimin e plotfuqishëm në NATO, ne presim që shumica parlamentare të rritet. Në fakt të kemi përkrahje edhe nga parti të tjera”, potencoi Muhamed Zekiri – nënkryetar i LSDM-së.

Zërat për rritje të shumicës, të paktën në Kuvend, ka muaj që kanë nisur të qarkullojnë, por deri më tani asnjë lëvizje nuk ka ndodhur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat