Kryetari i ASHAM: Maqedonia është eksperiment!

Maqedonia

Kryetari i ASHAM: Maqedonia është eksperiment!

Më: 27 janar 2021 Në ora: 17:51
Ljupço Kocarev

“Maqedonia është laborator gjeopolitik i “lojtarëve” të mëdhenj, të cilët i testojnë “recetat” e tyre për bashkëjetesë dhe stabilitet”, deklaroi kryetari i ASHAM-it në intervistë për “Slloboden Peçat”. Maqedoninë e quan “eksperiment”, “qendër për destabilizim rajonal” dhe “anije që fundoset”.

“Maqedonia për fat të keq në vitet e fundit, gradualisht, që më në fund në vitin 2020 u bë qendër e destabilizimit rajonal. Kjo ndodhi më së shumti për shkak të përplasjeve të brendshme politike, mungesës së sundimit të së drejtës, mos aftësia dhe arroganca e elitave vendore politike, korrupsioni i theksuar, krimi dhe lakmia, por pjesërisht edhe për shkak të fenomeneve të ngjashme dhe sjelljes në një pjesë të shteteve të BE”, theksoi Ljupço Kocarev – kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Maqedoni.

Por, profesori Ljubomir Fërçkoski, thotë se këto janë teza të paargumentuara, qëndrime të cilat duket se vijnë nga një pjesëtar i së djathtës ekstreme, e jo nga kryetari i ASHAM-it. Ai konsideron se Kocarev e keqpërdor funksionin.

“Qëndrimi i kryetarit të ASHAM-it është katastrofik. Në fakt, të sqarojmë diçka nga aspekt metodologjik, mendoj se kryetari i cili është ekspert i shkencave natyrore ka mendim si qytetar, por si ekspert nuk ka kurrfarë profesionaliteti dhe e keqpërdor postin e tij në Akademi”, potencoi Ljubomir Fërçkovski – profesor universitar.

Edhe Marrëveshja e Prespës, edhe Marrëveshja për Fqinjësi të mirë, sipas Kocarevit janë të padenja.

“Elementi i bashkëjetesës është një eksperiment i imponuar nga fuqitë e mëdha. Domethënë, ne nuk jemi shtet multi-kulturor. Kemi recetë për bashkëjetesë, e cila është e gabuar dhe e imponuar. Duhet të kemi koncept tjetër, e jo bashkëjetesë, i cili duhet të shpjegohet përmes një teze, por ai nuk mund ta shpjegojë”, u shpreh Ljupço Kocarev – kryetar i ASHAM-it.

Profesori Fërçkoski nuk pajtohet se SHBA-të neve na kanë marrë, siç thotë Kocarev, për t’u hakmarrë për problemin më të rëndësishëm në relacionin mes Kosovës dhe Serbisë, dhe se neve na trajton si pion i parëndësishëm me të cilin mund të bëhen eksperimente. Marrëveshjen e Prespës, kryetari i ASHAM-it e sheh si “gotë përplot me helm” pas së cilës ne fundosemi. Profesori Fërçkoski thotë se për këto teza, kryetari i ASHAM-it nuk ka dhënë as elaborime e as alternativa se si duhet të duket kjo gjë.

“Së pari, tezat janë amatore që nuk meritojnë debat më të madh. Ne kemi dëgjuar mijëra njerëz nga e djathta që kanë qëndrime të këtilla, nga Niçe Makedon e më tutje, që nuk dallohen nga tezat e kryetarit të ASHAM-it. Ato në fakt janë katastrofë”, deklaroi Ljubomir Fërçkovski – profesor universitar.

Në intervistën për “Slloboden peçat”, akademiku Kocarev paralajmëron vlerësim shkencor për marrëveshjet, të cilin do ta publikojë ASHAM. Ne u përpoqëm disa herë gjatë ditës që të marrim deklaratë prej Kocarev, por pa sukses.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat