Industria e mishit në Maqedoni kërkon të kthehen kuponët “blej vendore”

Maqedonia

Industria e mishit në Maqedoni kërkon të kthehen kuponët “blej vendore”

Më: 1 shkurt 2021 Në ora: 14:22
Foto ilustrim

Pakoja e katërt dhe e pestë e masave antikrizë nuk do të kenë efekt sepse nuk janë drejtuar siç duhet, reaguan sot përfaqësuesit e industrisë së mishit nga vendi.

Ata besojnë se Qeveria duhet t’i kthejë përsëri kuponët “Blej produkte vendore”, në mënyrë që të orientohen mjetet e qytetarëve te kompanitë vendase.

“Tre pakot e para ishin më të mira dhe më efikase, më shumë u ndihmuan kompanive vendore, ndryshe nga masa e katërt që nuk dha rezultate pavarësisht fondeve për atë qëllim. Në masat e mëparshme, njerëzit kishin karta për të blerë produkte vendore, ndërsa tani i marrin paratë në llogari dhe i përdorin për qëllime të ndryshme, gjë që e zbehi efektin. Efektet fillestare të masave mund të kenë qenë më të vogla, por është dashur të vazhdohet në atë drejtim. Ne kërkojmë Qeveria ta stimulojë konsumin e brendshëm me masën “Blej produkte vendore” duke lëshuar vauçerë për qëllime strikte, të shpenzohen ekskluzivisht për produkte vendore – mish të freskët dhe produkte mishi, qumësht dhe produkte qumështi”, tha sot në konferencë për shtyp kryetari i Grupit për prodhim të mishit dhe produkteve të mishit”, Goce Trajçev.

Ky apel, sipas Grupit, është në përputhje me masat dhe aktivitetet e zbatuara nga vendet e tjera. Infrastruktura është vendosur, vetëm duhet të drejtohen fondet, nuk ka nevojë për aktivitete të tjera të veçanta, përveç promovimit dhe drejtimit të duhur të mbështetjes.

Industria ushqimore vendase shënon rënie të prodhimit prej rreth 20 për qind. U tejkaluan problemet nga fillimi i pandemisë derisa u vendosën rrugët e transportit dhe nuk kishte anulime, por mosfunksionimi i hoteleve dhe restoranteve vendas ndikoi në situatën e përgjithshme.

Këtë vit pritet të hiqet ndalesa për eksport të mishit të derrit në BE, që do të jetë efekt pozitiv për industrinë vendase të mishit, thonë nga Oda ekonomike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat