Të hënën Shkupi nënshkruan marrëveshjen për vaksinën kineze

Maqedonia

Të hënën Shkupi nënshkruan marrëveshjen për vaksinën kineze

Më: 6 shkurt 2021 Në ora: 19:22
Foto ilustrim

Shkupi më 8 shkurt nënshkruan marrëveshjen për vaksinën kineze.

Maqedonia e Veriut të hënën (08 shkurt) nënshkruan marrëveshjen me autoritetet kineze për blerjen e 200 mijë vaksinave kundër koronavirusit të ri, që shkakton sëmundjen COVID-19.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe të shtunën ka bërë të ditur edhe metodologjinë e vaksinimit të popullatës, por pa saktësuar se kur mund të arrijnë dozat e para të vaksinës kineze.

“Dozat e siguruara do të shërbejnë për vaksinimin e 100 mijë personave. Të parët do të vaksinohen punonjësit shëndetësor dhe personat e moshuar mbi 70 vjeç. Pikat e vaksinimit do të funksionojnë me kapacitet maksimal, konkretisht nga 2000 deri në 2500 vaksinime në ditë. Kjo vaksinë është e sigurt sikur edhe të gjitha vaksinat tjera”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë në një konferencë për media në Shkup.
Sipas planit të Ministrisë, në fazën e dytë do të vaksinohen personat mbi 65 vjeç, ata të moshës nga 18 deri 64 vjeç dhe që vuajnë nga sëmundje të tjera, farmacistët, stomatologët, të punësuarit në Kuvend, në Qeveri, gazetarët, si dhe punonjësit e institucioneve arsimore dhe në kopshte të fëmijëve.

“Imunizimi është arma më e fuqishme në luftën kundër virusit. Por, duhet të respektohen masat tjera shëndetësore nga ana e qytetarëve, si mbajtja e maskës, distanca fizike, të cilat së bashku me vaksinimin do të mundësojnë mbrojtjen më të mirë nga COVID-19 dhe kapërcimin e pandemisë”, ka deklaruar Filipçe, raporton rel.

Maqedonia e Veriut ka regjistruar të shtunën 8 viktima të reja nga koronavirusi, 404 të infektuar si dhe 101 të shëruar.

Të dhënat i referohen testimit të 2,727 mostrave. Numri i të diagnostikuarve me COVID-19 ka arritur në 94.599 persona prej tyre; 83.735 janë shëruar, 2.916 persona kanë humbur jetën ndërsa 7.948 persona ende janë aktiv me COVID-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat