Opozita shqiptare: Deklarata e Simovskit, tentim për falsifikim të regjistrimit të popullsisë

Maqedonia

Opozita shqiptare: Deklarata e Simovskit, tentim për falsifikim të regjistrimit të popullsisë

Më: 7 shkurt 2021 Në ora: 17:35
Maqedonia

Drejtori i entit për Statistika Apostol Simovski, nuk i ka komentuar reagimet e opozitës shqiptare, të cilat pasuan pas prezantimit të metodologjisë për Regjistrim. Në komunikim me drejtorin, ai tha se për këtë çështje do të konsultohet dhe do ta shpjegojë ditët në vijim pas . Në prezantimin e Metodologjisë, Simovski deklaroi se gjatë regjistrimit të mërgimtarëve nga familjarët e tyre, ose të cilitdo personi që nuk ndodhet në shtëpi gjatë momentit të regjistrimit, nuk do të mund të plotësohen të dhënat për përkatësinë etnike, përkatësinë fetare dhe gjuhën të cilën e flasin, duke i cilësuar ata se tejet personale. Nga ana tjetër, zëvendësdrejtori i Entit për Statistika, Ilmi Selami tha se deklarata e drejtorit Apostolski është plotësisht e pabazë.

“Kjo thjeshtë është një e thënë nga ana e tij për arsye të cilat duhet t’i tregojë ai vet. Do të thotë ligji nuk ka bërë asnjë përjashtim, ligji parasheh qartë që nëse personat të cilët gjenden jashtë shtetit nuk mund të vetë-regjistrohen në mënyrë elektronike, atë mund ta bëjë një person i afërt i tyre që i di të dhënat për ata, e i jep të gjitha të dhënat që kanë të bëjnë me pyetësorin. Në Ligj dhe në metodologji që ka të bëjë me përkatësinë etnike, me përkatësinë fetare dhe me gjuhën që e flasin ata në shtëpi”, deklaroi Ilmi Selami, zv/drejtor i Entit për Statistikë.

Neni 8 dhe neni 10 i Ligjit për Regjistrimin e popullsisë e potencon qartë se të dhënat e lartpërmendura duhet të plotësohen. Nga ana tjetër, nga opozita shqiptare thonë se këto janë tentime për falsifikimin e regjistrimit. Deputeti Shkënder Rexhepi nga ASH-AAA tha se nuk do të lejojnë mosplotësimin e të dhënave për përkatësinë etnike, fetare dhe të gjuhës.

“Do të thotë janë dy pika mjaftë të rëndësishme, pjesë përbërëse të metodologjisë, me të cilën ne nëpërmjet presionit politik por edhe qarqeve diplomatike do të diskutojmë që këto të ndryshohen, ose në fund do tu propozojmë organeve partiake, si koalicion flas, që të kërkojnë edhe bojkotimin e regjistrimin me çka mos të lejojmë të falsifikohet regjistrimi dhe të dëmtohen posaçërisht shqiptarët në këtë rast”, u shpreh Skënder Rexhepi, ASH-AAA.

Edhe nga BDI-ja thonë se deklarata e drejtori të Entit të Statistikave është absurde.

“Një gjë e tillë nuk qëndron as në Ligj e as në Metodologji dhe është absurde të mendohet e lëre më të zbatohet. Regjistrimi ka nevojë për më pakë politikë e më tepër punë profesionale. Andaj insistojmë që regjistrimi të bëhet pa paragjykime, pa agjenda partiake, etnike e politike, sepse vetëm një proces i tillë do të ketë besimin e gjithë shoqërisë”, tha Arbër Ademi, BDI.

Regjistrimi i popullsisë në terren do të bëhet nga data 1 deri më 21 prill. Regjistrimi elektronik i diasporës fillon nga 1 marsi dhe zgjat deri më 21 prill.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat