Shumica e brishtë parlamentare, rrallohen seancat në Kuvend

Maqedonia

Shumica e brishtë parlamentare, rrallohen seancat në Kuvend

Më: 22 shkurt 2021 Në ora: 16:29
Kuvendi i Maqedonisë

Kryeministri Zoran Zaev e vlerëson si goditje ndaj LSDM-së paralajmërimin e PLD-së se deputetët e saj do të veprojnë si të pavarur dhe jo sikurse deri më tani në kuadër të grupit parlamentar të socialdemokratëve. Megjithëse përsëriti se shumica parlamentare është e qëndrueshme, Zaev tha se PLD-ja nuk duhej që vendimin ta merrte në këtë periudhë.

“….mund të prisnin 15 ditë, një muaj, kur kjo temë nuk do të jetë aktuale…. Unë i komunikova përmes sekretarit të përgjithshëm të LSDM-së se këtë e llogaris si goditje ndaj LSDM-së, pse, sepse nuk është matur koha e vërtetë…. Unë besoj se ekziston shumica parlamentare dhe shumë shpejtë do ta dëshmojmë, madje ndoshta edhe me më shumë nga ajo që e kemi. Me më shumë se 62”, tha Zoran Zaev, kryeministër.

Zaev shtoi se mungesa e seancave plenare në Kuvend, nuk është për shkak të mungesës së shumicës së qëndrueshme parlamentare, por për shkak të pandemisë. Por ndryshe mendon VMRO DPMNE-ja. Nënkryetari i saj, Alekandar NIkollovski tha se mungesa e kuorumit dëshmon se VMRO-ja do të ketë së shpejti shumicën në parlament.

“Periudhë më të gjatë kohore, tregojmë publikisht, nuk kemi ç’të fshehim se bisedojmë me deputet që janë pjesë e shumicës parlamentare, por që nuk i përkasin LSDM-së dhe BDI-së për formimin e shumicës së re parlamentare. Ky operacion ende nuk ka përfunduar por është në vijim. Pres që ky operacion të përfundojë me prishjen e kësaj qeverie, e të krijoj shumicë të re parlamentare. Kështu që vështirësitë që i ka pushteti me sigurimin e kuorumit është një dëshmi e kësaj që e them”, pohoi Aleksandar Nikollovski, VMRO-DPMNE. 

Kuvendi rreth një muaj nuk ka mbajtur seancë plenare, për shkak të mungesës së kuorumit për ta votuar rendin e ditës, por edhe propozim ligjet të cilat janë në rend dite.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat