RMV-ja merr dozat e para të vaksinës ruse, mjeku Osmani i shikon si të vetmen rrugëzgjidhje

Maqedonia

RMV-ja merr dozat e para të vaksinës ruse, mjeku Osmani i shikon si të vetmen rrugëzgjidhje

Më: 8 mars 2021 Në ora: 12:05
Foto ilustrim

Maqedonia e Veriut mori pasditen e së dielës dozat e para të vaksinës ruse Sputnik V.

3000 dozat u pritën në aeroportin e Shkupit nga ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe ambasadori rus, Sergej Bazdnikin.

Sipas tyre, këto ishin vetëm dozat e para, nga 200 mijë të tjera që do të vijnë në vijim nga Rusia.

Për vaksinat ruse dhe kineze, mjeku Aliriza Osmani u shpreh në Euronews Albania se në RMV të gjitha vaksinat janë të mirëseardhura dhe se procesi duhet të vijojë me shpejtësi.

“Nuk besoj që asnjë prej vaksinave nuk është edhe aq e mirë. Të gjitha janë efektive, ndoshta një dallim i vogël shumë”, u shpreh mjeku, i cili shtoi se e vetmja rrugëdalje prej kësaj situatë është vaksinimi.

Ai tregoi më tej se ka njerëz që dyshojnë tek vaksina ruse dhe kineze, por nuk ka zgjidhje tjetër për të përballuar pandeminë.

Mjeku tregoi se kohët e fundit në RMV ka filluar të rritet numri i infektimeve.

Maqedonia e Veriut ka porositur në total 2 milionë doza vaksinash, nga 4 kompani ë ndryshme, Sinopharm, Pfizer, Astrazeneca dhe Sputnik V.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat