Çmimet e karburanteve, nën mesataren e rajonit

Maqedonia

Çmimet e karburanteve, nën mesataren e rajonit

Më: 17 mars 2021 Në ora: 15:14
Foto ilustrim

Krahasimi i kostos së benzinave tregon se qytetarët e Maqedonisë në 14 vitet e kaluara, çmime më të shtrenjta apo çmime rekord të derivateve të naftës kanë paguar në javën e parë të muajit prill të vitit 2012, kur dy llojet e benzinave kanë kushtuar nga 89 dhe 90.5 denarë, ndërsa dizeli – 73.5 denarë. Megjithatë, në periudhën e fundit nuk ka ndonjë dallim më të madh në çmimin midis dizelit dhe benzinës si karburant për ngasje për veturat

Shkup, 17 mars – Çmimet e karburanteve të naftës në Maqedoni dhe rajon varen në radhë të parë nga çmimet e naftës në bursat botërore. Përskaj këtij treguesit kryesor, në çmimin përfundimtar marrin pjesë edhe kursi i dollarit, shkalla e Tatimit në Vlerë të Shtuar, si dhe taksat e ndryshme si akciza që paguhet krahas çmimit themelor të naftës. Analizat krahasuese tregojnë se në dy vitet e fundit, si rrjedhojë e turbulencave politike në disa nga rajonet kryesore prodhuese të naftës, por edhe për shkak të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia dhe uljes për disa muaj të kërkesës për naftë në botë, është shënuar luhatje e çmimeve në bursat botërore.

Pra, vetëm në gjashtë muajt e kaluar – nga periudha 20 shtator 2020 e deri më 7 mars të vitit 2021, çmimi i Eurosuperit 95 po shënon rritje të vazhdueshme nga 58 denarë në fund të muajit shtator në 68 denarë për litër në fillim të muajit mars të këtij viti. Edhe për një periudhë njëvjeçare apo nga muaji mars 2020 deri më muajin mars të vitit 2021, çmimi i Eurosuperit apo benzinës ka qenë afër 1 euro, ku çmimi më i lirë ka qenë më 7 prill 2020 me 48 denarë. Krahasimi i të dhënave tregon se vitin e kaluar – në mesatare çmimi i Eurodizelit ka qenë diku 55 denarë, ndërsa çmimi më i ulët është shënuar në fillim të muajit maj 2020 me 43 denarë për litër, për të arritur në 56 denarë me fillimin e marsit. Njëherësh, krahasimi i çmimeve të karburanteve të naftës dy vitet e kaluara tregon se çmimi më i lartë i Euro-95 ka qenë në muajin maj 2019 me 72 denarë për litër, ndërsa çmimi më i lirë ka qenë në fillim të muajit prill 2020 me 48 denarë për litër. Nga ana tjetër, çmimi i dizelit është luhatur në dy vitet e kaluara nga 43 denarë në maj të vitit 2020 në 57 denarë për litër në fillim të muajit mars 2021.

Përgjatë tërë vitit 2020 po vërehet luhatje e çmimit prej 50 deri 55 denarë prej majit deri në dhjetor, ndërsa prej muajit janar deri në muajin maj – kemi luhatje nga 50 deri 63 denarë. Megjithatë, në periudhën e fundit nuk ka ndonjë dallim më të madh në çmimin midis dizelit dhe benzinës si karburant për ngasje për veturat. Ekspertët e kësaj fushe thonë se një trend i tillë vjen edhe si rrjedhojë e karakteristikave ekologjike të benzinës në raport me dizelin. Të dhënat e mëparshme tregojnë se në datën 22 maj 2017, çmimet e karburanteve në Maqedoni janë të përafërta me muajin maj të vitit 2016 . Në 16 maj 2017, në tregun e Maqedonisë, Eurosuper 95 në pikat e karburantit në shtet kushtoi 62 denarë, Eurosuperi 98 – 64 denarë, ndërsa një litër Eurodizel – 47 denarë. Krahasimi i kostos së benzinave tregon se qytetarët e Maqedonisë në 14 vitet e kaluara, çmime më të shtrenjta apo çmime rekord të derivateve të naftës kanë paguar në javën e parë të muajit prill të vitit 2012, kur dy llojet e benzinave kanë kushtuar nga 89 dhe 90.5 denarë, ndërsa dizeli – 73.5 denarë. Kohë më parë, për ankesat e qytetarëve se po paguajnë kosto të lartë të derivateve të naftës në raport me standardin, thuhej se shteti në periudhën e kaluar, po përpiqet të mbajë një baraspeshë apo balans midis nevojave të tregtarë ve dhe prodhuesve nga njëra anë dhe konsumatorëve nga ana tjetër.

Nga ana tjetër, çmimet e naftës për veturat në Shqipëri janë 1.130 euro dhe për benzinën janë 1.170 euro, ndërsa në Kosovë çmimet janë nga 1.050 dhe 1 euro. Në Austri, çmimet e benzinës për veturat janë 1.180 euro dhe të naftës janë 1.150 euro. Në Bullgari – të dyja karburantet shiten për 1.010 euro, ndërsa në Mal të Zi për 1.160 dhe 1.060 euro. Në Kroaci benzina kushton 1.330 dhe nafta kushton 1.270 euro, ndërsa në Itali – çmimet janë 1.590 dhe 1.460 euro. Çmime ndër më të lirat në botë të karburanteve të naftës kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 0.636 dollar për benzinën dhe 0.723 për dizelin, dhe Federata Ruse me 0.550 euro për të dyja karburantet. Në Turqi, çmimet janë 0.810 euro për benzinën dhe 0.750 euro për një litër naftë për veturat. Nga shtetet e rajonit – në Serbi, çmimet lëvizin me 1.230 dhe 1.300, në Slloveni me 1.100 dhe 1.150 euro për benzinën dhe naftën. Çmimet të larta ka Zvicra me një standard jetese të lartë dhe tatime të larta ku paguhet 1.570 euro litra e benzinës dhe 1.170 litra e naftës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat