Koalicioni AAA-ASH pyet Visar Ganiun: Ku mbeti “Kontrata” e famshme

Maqedonia

Koalicioni AAA-ASH pyet Visar Ganiun: Ku mbeti “Kontrata” e famshme

Më: 17 mars 2021 Në ora: 16:21
Foto nga vendi i ngjarjes

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë reaguar ndaj kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiut, duke thënë se ky i fundit nuk e ka mbajtur fjalën për premtimet e dhëna nga ”kontrata” e famshme me të cilën ai mori besimin e qytetarëve. Zudi Enuzi Koka, përfaqësuesi i koalicionit, gjithashtu u shpreh se, i përkujtojnë zyrtarët e lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim, se kanë dështuar 100% nëpër të gjitha komunat, dhe se sipas tyre, në 4 vitet e fundit banorët e Çairit nuk kanë parë asnjë projekt investues në infrastrukutrë, madje asnjë të tillë në arsim, kulturë dhe sport.

Zudi Enuzi Koka, përfaqësues i koalicionit Aleanca-Alternativa

“Jeta e banorëve në Çair fatkeqësisht nuk ndryshoi asgjë në këto 4 vite, përpos që u përkeqësua, iu shtuan katet ndërtesave pa leje, u uzurpuan hapësirat e gjelbra dhe u degradua gjithçka. Kaosit në komunikacion, që premtohej se do t`i gjendet zgjidhje me ndërtimin e 4 garazheve në kate dhe 15 rreth rrotullimeve, fatkeqësisht nuk u bë asgjë as edhe në këtë drejtim. Premtohej madje edhe efikasiteti energjetik në ndërtesa, por edhe kjo mbeti vetëm një ëndërr për banorët e Çairit. Qytetarëve, e veçanërisht të rinjve u premtohej një jetë më ndryshe me qendra rinore, hapësira rekreative dhe biblioteka, por as kjo nuk u bë, nuk u gjetën arsye as për kategorinë më vitale të shoqërisë të krijohen kushte më të mira”

Enuzi, ndër të tjera tha se, jeta e shqiptarëve fare nuk u përmirësua dhe se përkundrazi u shtua kaosi, varfëria dhe u ashpërsua beteja e zyrtarëve të BDI-së. Ai ndjeu keqardhje për faktin se Ganiu po e përfundon mandatin e tij të parë e të katërtin të BDI-së, ashtu siç e mori nga paraardhësi i tij Izet Mexhiti.

Ndërkaq, Enuzi shtoi tani më 20 vitë që BDI është në pushtet, problemet janë të shumta dhe të pazgjidhura, ndërsa ata si koalicion kanë zgjidhje afatgjata dhe të sigurta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat