Koalicioni ASH-Alternativa: ESHS po e saboton regjistrimin me mungesën e shqipes në formularin online

Maqedonia

Koalicioni ASH-Alternativa: ESHS po e saboton regjistrimin me mungesën e shqipes në formularin online

Më: 21 mars 2021 Në ora: 14:29
Foto ilustrim

Nëpërmjet një njoftimi të koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa thuhet se “ditëve të fundit, nga mërgimtarë të shumtë, po marrim njoftime të vazhdueshme se formulari online i regjistrimit të popullsisë ka probleme, ndër të cilat edhe se disa pjesë të tij janë vetëm në maqedonisht, gjë që e vështirëson ndjeshëm regjistrimin e mërgatës që edhe ashtu nuk shquhet me njohje shumë të mirë të maqedonishtes”.

“Pa dashur të paragjykojmë se a është bërë kjo qëllimisht, që kështu të vështirësohet e të pengohet regjistrimi i mërgatës apo ka dalë rastësisht – nga padija e drejtuesve të Entit të Statistikave, gjë që duhet ta thonë ata, por në kohën kur të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit janë mobilizuar për ta motivuar regjistrimin e mërgatës, të dalin këso pengesa kjo nuk mund të lexohet ndryshe pos si sabotim”, thuhet në njoftim.

Ata i bëjnë thirrje ESHS-së që ta përmirësojnë këtë problem dhe të mos bëhet arsye të konkludojmë se aty vazhdon avazi i ndërkëmbëzave ndaj shqiptarëve kur flasim për regjistrimin.

“Si parti që e kemi mbështetur Ligjin për përdorimin e gjuhëve, por edhe Ligjin për regjistrim, nuk mund të tolerojmë në asnjë mënyrë që dikush të manipulojë me këto të drejta themelore të qytetarëve, në këtë rast të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në fund të reagimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat