Aferat nuk ndalen as gjatë pandemisë!

Maqedonia

Aferat nuk ndalen as gjatë pandemisë!

Më: 29 mars 2021 Në ora: 15:15
Foto ilustrim

Edhe gjatë kohës së pandemisë nuk kanë ndaluar aferat dhe skandalet në skenën politike në Maqedoninë e Veriut. Për një pjesë të këtyre rasteve, Prokuroria pas një kohe “i dëgjoi mediumet” dhe më pas hapi procedurë, për një pjesë – Antikorrupsioni hapi lëndë për konflikt të mundshëm të interesave dhe korrupsion

Shkup, 29 mars – Edhe gjatë kohës së pandemisë nuk kanë ndaluar aferat dhe skandalet në skenën politike në Maqedoninë e Veriut. Aferat nga tentimet kontroverse për furnizimin me vaksinat kineze përmes kompanive private nga Honkong dhe Peking, aferat e tenderit për incizimin e sipërfaqeve të gjelbra nga kompania e cila lidhet me ministren e arsimit Milla Carovska dhe partnerin saj, deri te numri i banesave të ish-kryeministrit i cili ka ikur nga drejtësia Nikolla Gruevski, dhe furnizimi kontrovers i softuerit për siguri në komunikacion nga ish sekretari gjeneral i Qeverisë, tani këshilltarë i kryeministri Zoran Zaev, Dragi Rashkovski. Për një pjesë të këtyre, Prokuroria pas një kohe “i dëgjoi mediumet” dhe më pas hapi procedurë, për një pjesë Antikorrupsioni hapi lëndë për konflikt të mundshëm të interesave dhe korrupsion. Sipas informacioneve që ishin publikuar në vitin 2015, nga LSDM-ja e atëhershme opozitare, por edhe nga informacionet nga tanimë ish PSP, bëhet fjalë për pronën e blerë prej afër 1.5 milion euro përmes një kompanie që supozohet të jetë e Orce Kamçev.

Këtë hetim tani e udhëheqë prokurorë nga Prokuroria për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit kundër gjashtë të dyshuarve mes të cilëve dhe kumbari i Gruevskit, Risto Navaçevski. Prokuroria në kumtesë për hetimin potencoi se truallin Gruevski e ka paguar me paratë që i ka marrë për financimin e VMRO-DPMNE-së.

“Në periudhën prej 2006 deri 2012, Gruevski si kryetar i VMRO-DPMNE-së ka përvetësuar mbi 1.300.000 euro. Një pjesë të mjeteve të cilat në këtë periudhë i ka pranuar personalisht ose nëpërmjet komiteteve komunale të partisë si donacione për partinë politike, nuk i ka paraqitur si donacione dhe në këtë mënyrë ka përvetësuar së paku 1.300.360 euro. Këto para Gruevski i ka lëshuar në qarkullim me blerjen e tokës ndërtimore në Vodno, ndërsa i dyshuari Mijallkov edhe pse e ka ditur se si Gruevski i ka marrë paratë, ka vendosur kontakt me pronarin e një kompanie në Belize dhe ka kërkuar dokumentacion, vula dhe xhirollogari që t’i ketë në dispozicion. Risto Novaçevski, pas një marrëveshje paraprake me Gruevskin, është bërë drejtues i kompanisë e cila e ka blerë tokën në Vodno me një sipërfaqe totale prej 11,000 m2”, thonë nga Prokuroria. Si pronar i tokave në Vodno është paraqitur kompania, për të cilën nga Prokuroria thonë se është nën pronësi të të dyshuarit të pestë, Orce Kamçev.

PROCEDURË PARAHETIMORE PËR SOFTUERIN E RASHKOVSKIT

Pas storieve të botuara nga “360 Gradë” në lidhje me softuerin për shkelje në trafik të siguruar nga ish sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski, Prokuroria Themelore Publike për Prokurorinë e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka hapur procedurë para-hetimore. “Duke i ndjekur shkrimet disa ditore në media për blerjen e softuerit nga ana e sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, prokuroria ka hapur procedurë para-hetimore, pas çka prokurori i lëndës ka dhënë më shumë urdhra për grumbullim të dokumentacionit të nevojshëm. Ndaj urdhrave të prokurorit, do të veprojnë hetuesit e qendrës hetuese në kuadër të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit”, informuan nga Prokuroria.

Në ndërkohë, Ministria e Pyunëve të Brendshme prokurorinë në fjalë e informoi në lidhje me veprimet e tyre në këtë çështje. Kryetarja e Antikorrupsionit, Biljana Ivanovska, tha se Komisioni ka hapur lëndë dhe se presin nga institucionet kompetente që të iu dorëzojnë dokumente për gjithë procedurën. “Dërguam kërkesa deri te sekretari gjeneral i qeverisë, MPB, DAP, Regjistri qendrorë ku është regjistruar kompania, dhe do të shohim, më tej varet nga nevojat, ndoshta do të dorëzojmë kërkesë edhe te ndonjë institucion tjetër”, është shprehur Ivanovska. Bëhet fjalë për softuer për siguri në komunikacion, për të cilën ish sekretari gjeneral i Qeverisë, Dragi Rashkovski e ka blerë para tetë muajve nga kompania “Invoka Grup”. E ka paguar 81 mijë euro me qëllim të përdoret në suaza të projektit “Safe City” të MPB-së.

Por nga MPB thonë se ky softuer nuk është pjesë e sistemit të Ministrisë së Brendshme dhe nuk planifikojnë ta shfrytëzojnë sepse për këtë qëllim ato janë duke përgatitur projekt të ri. Rashkovski e ka patentuar idenë për softuer që më pas me furnizim publik e ka porositur dhe ia ka paguar “Invoka Group” nga buxheti shtetërorë para se të kryhej testimi i saj se a do të jetë i dobishëm dhe funksional apo jo. Rashkovski që nga viti 2018 e ka patentuar idenë për “Softuer, i cili duhet të përcaktojë shpejtësinë, vendndodhjen, targën dhe të regjistrojë shkeljet, siç është kalimi në të kuqe por dhe sanksionet (dënimet). Në atë periudhë softueri nuk ishte përpunuar në tërësi nga kompania “Invoka Group”, për këtë arsye, sipas lajmërimeve për arritje të marrëveshjes të Byrosë për furnizime publike, furnizimi plotësisht u realizua në vitin 2020. Ndërkohë, pikërisht në periudhën kur ishte hapur kjo aferë në vend, Rashkovski për mediumet vendore tha se është në pushime në Meksikë, dhe do të kthehet në Maqedoninë e Veriut në fund të këtij muaji.

VAKSINAT KINEZE “INTERESANTE” PËR ANTIKORRUPSIONIN, POR JO EDHE PËR PROKURORINË

Menjëherë pas aferës me Rashkovskin, përmes gazetës italiane “La Verita”, u hap edhe një aferë e re, për procedurë të dyshuar gjatë furnizimit me vaksinat kineze në të cilën është i involvuar Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Antikorrupsioni kumtoi se ka kërkuar nga Ministri Filipçe dhe nga Qeveria që të dorëzojnë gjitha dokumentet lidhur me furnizimin me vaksina dhe pastaj do të vendosë nëse ka autorizim që të procedon për këtë lëndë. Ndryshe, gazeta italiane “La Verita” ka publikuar dy letra të ministrit të Shëndetësisë për furnizim me vaksinat kineze për të cilat thuhet se gjatë procedurës së blerjes së tyre ka ndërmjetësuar një kompani fantome kineze. Publikimi në gazetën italiane pretendon se problematike është përmbajtja e letrës së dytë në të cilën kompania, gjegjësisht Kina i ikë përgjegjësisë nga pasojat eventuale nga shfrytëzimi i vaksinës. Sipas gazetës italiane, kjo është në kundërshtim me shumë konventa ndërkombëtare dhe paraqet shkelje të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve. Për dallim nga Antikorrupsioni, Prokuroria Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit por dhe Policia Financiare, ende veç me interes i ndjekin ndodhitë dhe informacionet në opinion për këtë çështje, por pa ndërmarrë ndonjë veprim konkret.

Por,ministri i Shëndetësisë hodhi poshtë akuzat dhe pretendimet e gazetës italiane.”Nuk bëhet fjalë për asgjë të paligjshme, për asgjë të parregullt, nuk bëhet fjalë për ndonjëfarë përqindje për çka këto ditë po na akuzon opozita. Shkrimet e “La Verita”-s janë të qëllimshme, pasi letra të tilla Ministria e Shëndetësisë ka dërguar deri te shumë kompani, të cilat ndihmojnë apo ndërmjetësojnë për furnizim me vaksina kundër Kovid, si nga SHBA, Austria dhe vende tjera. Në të njëjtën mënyrë është edhe qasja për furnizim me vaksinat nga Sinofarm. Nga fillimi, vendi ynë i respekton të gjitha procedurat për furnizim me vaksina, si ashtu edhe me këtë prodhues”, u shpreh javë më parë Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

PARTNERI I CAROVSKËS MES AKUZAVE TË VMRO-DPMNE-së DHE LSDM-së

Partia opozitare VMRO-DPMNE këtë javë e akuzoi të parin e Shkupit, Peter Shilegov se me furnizim publik ka shkaktuar konflikt të interesave dhe harxhim të parave të shtetit në kohë të pandemisë. Bëhet fjalë për furnizim e cila e fitoi kompania “Fajm Kam” në pronësi të Goran Georgievski me vlerë prej 1 milion denarëve ose 16 mijë euro për incizim të sipërfaqeve të gjelbërta për detektim të hershëm të sëmundjeve bimore. Këshilltarja e qytetit të Shkupit nga VMRO-DPMNE, Jelena Zhugiq deklaroi se Shilegov po fshihet dhe heshtë pasi i dha tender partnerit të Ministres Milla Carovska. “Në kohën kur po vdesin dhjetëra njerëz nga komplikimet me virusin, për Shilegovin më me rëndësi janë sëmundjet në sipërfaqet e gjelbra. Të njëjtat ato sipërfaqe të gjelbra që si kryetarë i la pas dore për tre vjet e gjysmë. Kryetari “babai” i shkupjanëve, Shilegov në vend të shpall tender, të furnizon mjete mbrojtëse dhe të iu shpërndanë kategorive të prekura të qytetarëve me covid, ai të nderuar shkupjan, jep një milion denar partnerit të Carovskës për incizim të sipërfaqeve të gjelbra me dron”, tha Zhugiq.

Kryetari Shilegov mbrëmë tha se ky furnizim është nënshkruar edhe nga paraardhësi i tij. “Ky dokument është nënshkruar nga Koce Trajanovski me “Faj Kam” në pronësi të zotëriut Goran Gjorgievski, burrë i Milla Carovskës në vitin 2016″, deklaroi Shilegov. Sipas dokumenteve në Byronë për Furnizime Publike, marrëveshja e fundit me “Faj Kam” është nënshkruar me Qytetin e Shkupit në 4 mars të këtij viti në vlerë prej 16 mijë euro. Më parë, kësi lloj marrëveshje në vlerë prej 15 mijë euro është nënshkruar në vitin 2019. Furnizimi nga ajo kompani ka të bëjë me marrjen me qira të pajisjeve për mbikëqyrje në terren, deponive të egra dhe zona tjera të qytetit. Në vitin 2016 kur kryetar i qytetit ishte Trajanovski, ishte nënshkruar marrëveshje me këtë kompani në vlerë prej 9 mijë euro për përpilimin e një video dokumentacioni për projekte infrastrukturore rrjedhëse në territorin e Shkupit.

BANESAT E GRUEVSKIT PËRSËRI NË “MENY” TË MEDIUMEVE

Prokuroria ka zgjeruar hetimin për parcelat e ish kryeministrit në arrati, Nikolla Gruevski në Vodno. Gjurmët i kanë çuar hetuesit deri te disa banesa të reja të Gruevskit, për të cilat besohet se janë blerë me para nga anëtarësia e bashkëpartiakëve. Mediat kanë raportuar se, janë kryer bastisje në lokacionet në afërsi të MPB-së. Nga Prokuroria i konfirmuan informatat për bastisje, por nuk kanë ndarë detaje. “Sot është kryer bastisje në më shumë objekte. Bastisja është në kuadër të veprimtarive hetuese në lëndën e njohur në opinion si “Parcelat në Vodno”. Prokuroria Themelore Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit vazhdon në kontinuitet të ndërmerr veprime në drejtim të zbardhjes së tërësishme të lëndës”, thonë nga prokuroria.

Sipas raportimeve të mediumeve bëhet fjalë për tri banesa të reja, ndërsa njëri nga banesat për të cilat ka dyshime se është blerë në mënyrë të paligjshme, është në emër të njërës prej sekretareve të Gruevskit. Njëra nga banesat e Gruevskit është në rrugën Pavel Shatev (Bihaçka) në Shkup që është në afërsi të selisë së LSDM-së. Një banesë tjetër në ndërtesën e njëjtë, në të cilin gjithashtu dje u krye bastisje është në emër të kompanisë “IKT Inxhenering”. Në njërin prej këtyre dy banesave ka pasur bibliotekë shumë të madhe, ndërsa tjetrin e ka shfrytëzuar si kabinet pune. Pas bastisjes së djeshme në shtëpitë e ish kryeministrit, në rrjetin social Facebook nga Budapesti, azilanti Gruevski shkruajti se qëllimi i “organeve represive të pushtetit” ishte që ta shqetësojnë familjen e tij.

“Nuk kanë pasur nevojë të bëjnë shqetësime të tilla ndaj familjes time dhe posaçërisht ndaj fëmijëve për shkak se edhe po të kërkonin do t’u jepej. Përveç nëse ky shqetësim nuk do të ishte një nga qëllimet. Nuk ekziston asnjë pronë e fshehur, banesë ose tokë. Nuk kam blerë, paguar dhe as shitur ndonjë vend, banesë ose ndonjë pronë tjetër dhe kjo mund të kontrollohet në kadastër. Nëna ime nuk ka asnjë banesë në Aerodrom. Ajo ka banesë në Kapishtec që është blerë me kredi në vitin 1984. Nuk ka asnjë banesë në emër të sekretares sime siç u shkrua në një pjesë të mediave”, ka shkruar Gruevski.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat