Bullgaria pret përgjigje, Shkupi: Do të qëndrojmë larg atmosferës parazgjedhore

Maqedonia

Bullgaria pret përgjigje, Shkupi: Do të qëndrojmë larg atmosferës parazgjedhore

Më: 29 mars 2021 Në ora: 15:17
Foto ilustrim

Diplomacia bullgare po pret përgjigjen e Shkupit ndaj notës së protestës lidhur me ngjarjen në Deve Bair, kur vendi pengoi importin e rreth 1000 librave nga Sofja në Shkup.

Çfarë do të thotë kjo?! A nuk synojnë të bëhen anëtar në BE, a nuk e synojnë tregun e përbashkët, a nuk funksionon ai vetëm me letërnjoftime?! Është e dukshme se nuk duan që librat origjinale të hynë atje, që të mund qytetarët e Maqedonisë së Veriut t’i lexojnë. Ende po presim përgjigje për këtë notë proteste që i dërguam – deklaroi Ekaterina Zaharieva, Ministre e Jashtme e Bullgarisë.

Ministria e Jashtme në Shkup thotë për Alsat se komunikimi dypalësh është i rregullt, por se do t’iu përmbahet komenteve dhe do të qëndrojë larg atmosferës parazgjedhore. Sipas këtij dikasteri përgjigjen për librat tashmë e ka dhënë Drejtoria e Doganave.

Edhe pse organi doganor përmes Ministrisë së Jashtme kërkoi deklaratë se dërgesa i dedikohet Qendrës kulturore të Bullgarisë në Shkup, këso deklarate nuk na u dorëzua as nga Qendra kulturore e as nga Ambasada e Bullgarisë në Shkup -njoftojnë nga Drejtoria e Doganave.

Ndërkohë ushtruesi i detyrës ambasador i Maqedonisë së Veriut në Sofje, Vlladimir Kërstevski u thirr në bisedë për shkak të analizave të publikuara nga Instituti Ndërkombëtar IFIMES. Sipas Zaharievës, pas artikujve “kontravers” fshihet Shkupi. Por Qeveria hodhi poshtë akuzat, duke thënë se marrëveshja me Institutin ka përfunduar në vitin 2019.

IFIMES tashmë dy vjet ky institut nuk ka asnjë angazhim të lidhur me punën e Qeverisë, e as obligime të tjera me Qeverinë dhe Zyrën e Kryetarit të Qeverisë. IFIMES edhe para vitit 2019 asnjëherë nuk është angazhuar për analiza lidhur me raportin mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë – njoftojnë nga Qeveria.

Instituti IFIMES në analizën e 24 marsit shkruan ndër të tjerash se Bullgaria e pavarur u krijua me Traktatin e Shën Stefanit në vitin 1878, në territor që banohej nga bogomilë, maqedonas dhe turq, e të cilët “u bullgarizuan” me forcë. Nga ajo periudhë daton projekti “Bullgari e Madhe” që është prezentë gjatë kësaj fushate parazgjedhore. Theksohet se Bullgaria nuk ka arsye për t’u krenuar me historinë e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore, si aleate e Gjermanisë naciste dhe se Bullgaria është bërë lojtar kryesor i diplomacisë ruse në Ballkan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat