Ligji për Regjistrim ende në fuqi, EShS nuk del në terren

Maqedonia

Ligji për Regjistrim ende në fuqi, EShS nuk del në terren

Më: 1 prill 2021 Në ora: 15:53
Foto ilustrim

Enti Shtetëror i Statistikës nuk ka nisur regjistrimin në terren edhe pse ligji për regjistrim të popullsisë është ende në fuqi. Përmes një komunikate, drejtuesit e Entit kanë bërë të ditur se janë në pritje të përfundimit të procedurës parlamentare për anulimin e operacionit statistikor. Drejtuesit e Entit nuk mendojnë se po bëjnë shkelje të ligjit me mos nisjen e regjistrimit në terren.

“Duke marrë parasysh se është parashikuar që Regjistrimi të zgjas 21 ditë, respektivisht deri më 21 prill, Enti Shtetëror për Statistika, vlerëson se ka kohë të mjaftueshme që të gjitha aktivitetet e parashikuara për regjistrim të përfundojnë në kohë. Në periudhën derisa pritet zgjidhje në Kuvendin e RMV-së, Enti edhe një herë do të bëjë kontrollë të gjithë aktiviteteve organizative-teknike në terren që të jetë edhe më tepër e sigurt se gjithçka është përgatitur për fillim eventual të regjistrimit në terren”, theksoi Enti Shtetëror për Statistika.

Por, veprimin e Entit të Statistikës opozita shqiptare e konsideron si shkelje të ligjit për regjistrim, që sipas koalicionit ASH-AAA paraqet vepër penale. Opozita kërkon ndërhyrjen e prokurorisë për sanksionimin e shkelësve të ligjit.

“Ky refuzim për të zbatuar ligjin është goditje e rëndë mbi parimin e sigurisë juridike, si koncept themelor i shtetit të së drejtës. I bëjmë thirrje Prokurorisë që urgjentisht t’i ndërmarrë masat e nevojshme për ruajtjen e shtetit të së drejtës, duke ngritur aktakuzë kundër Drejtorit dhe Zëvendës Drejtorit të Entit shtetëror për statistikë. E përkujtojmë Prokurorinë me nenin 16 dhe 18 të ligjit për regjistrim. Neni 16 – Enti Shtetëror i Statistikës kujdeset për ligjshmërinë në përgatitjen, organizimin dhe realizimin e Regjistrimit në pajtim me dispozitat e këtij ligji dhe kryen mbikëqyrje të punës së personave – pjesëmarrës në Regjistrim”, thonë nga ASH-AAA.

Kryeministri Zoran Zaev të mërkurën kishte deklaruar se Entit Shtetëror i Statistikës nuk duhet të ndërmerr asnjë veprim meqë tashmë ka marr mesazhin se më shumë se dy të tretave e deputetëve janë për anulimin e regjistrimit.

Por sot Zaev doli me qëndrim të ri se regjistrimi është në fazën përgatitore dhe se ende nuk ka nisur në terren kështu që sipas tij askush nuk ka nevojë të mbajë përgjegjësi. Sipas tij regjistrimi ka filluar por regjistruesit nuk shihen në terren sepse janë duke u përgatitur dhe organizuar.

“Besoj se sot ose nesër Kuvendi do të mund t’i miratojë ndryshimet në Ligjin për regjistrim, në mënyrë që të mos ketë nevojë që të dilet në terren e pastaj të ndërpritet për të vazhduar më 5 shtator. Zyrtarisht sipas Ligjit, regjistrimi fillon sot, por fillon faza përgatitore për aktivitetet në terren. Por nëse përfundon faza përgatitore dhe fillojnë aktivitetet në terren, nuk mund ta dimë kur Kuvendi do ta sjellë vendimin përfundimtar, çdo material regjistrues që do të bëhet do të ruhet dhe do të jetë i vlefshëm”, pohoi Zoran Zaev, kryeministër.

Ligji për regjistrim parasheh masa ndëshkuese për personat fizik dhe juridik. Ata që refuzojnë të japin të dhënat, ligji parasheh gjoba prej 200 deri më 300 euro ndërsa personat juridik që pengojnë regjistrimin apo që bëjnë thirrje për bojkot, sipas dispozitës ligjore mund të përballen me padi penale që parasheh së paku tre vjet burg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat