Shkup, Parlamenti fillon procedurën e shtyrjes së censusit për në vjeshtë

Maqedonia

Shkup, Parlamenti fillon procedurën e shtyrjes së censusit për në vjeshtë

Më: 1 prill 2021 Në ora: 21:39
Parlamenti i Maqedonise

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut e filloi procedurën për miratimin e ligjit për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë, teksa opozita shqiptare po përpiqet ta pengojë, duke mos dashur që procesi të shtyhet, sepse shkon në dëm të interesave të shqiptarëve, sipas saj.

Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi e ndërpreu seancën për t’iu lënë mundësi komisioneve parlamentare për çështje evropiane dhe të sistemit politik të debatojnë mbi këtë çështje.

Shtyrja e censusit u arrit me kompromis midis dy drejtuesve të partive më të mëdha maqedonase, Zoran Zaev (LSDM) dhe Hristijan Mickovski (VMRO-DPMNE), ndërkohë që operacioni më i madh statistikor nuk mbeti pa u politizuar. Vendi nuk ka bërë regjistrimine popullsisë që nga viti 2002 dhe mungesa e të dhënave mbi numrin e cilësinë e profesionistëve ka bërë, sipas ekspertëve, që një numër investitorësh të huaj ta anashkalojnë Maqedoninë e Veriut.

Koalicioni midis Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës (ASH-AA) ka paraqitur dyqind propozim-amendamente ndaj ligjit të pritshëm për ta zvarritur në këtë mënyrë seancën. Sipas ligjeve, censusi duhej të fillonte të enjten, 1 prill, pasi që Paramenti nuk arriti deri në mesnatën midis 31 marsit dhe 1 prillit ta miratojë ligjin për shtyrjen e censusit dhe ASH-AA i kërkojnë prokurorisë që të ndërhyjë tek Enti Shtetëror i Statistikave, i cili nuk po e zbaton ligjin, sipas opozitës shqiptare. ASH-AA druajnë se i gjithë procesi i regjistrimit do të ndërpritet për shkak të interesimit të madh të shqiptarëve në diasporë dhe mosinteresimit të mërgatës maqedonase për t’u regjistruar. Koalicioni opozitar shqiptar do të mund të hiqte dorë nga përpjekjet për bllokim nëse pranohet kërkesa për miratimin e shpejtë të ligjit të nënshtetësisë, sepse “qindra e mijëra shqiptarë, sipas ASH-AA, janë diskriminuar prej vitesh, ndërsa kanë lindur këtu, madje dhe janë plakur këtu e nuk u jipet shtetësia”.

Ndërkohë, ambasadorja amerikane Kate Mary Byrnes në një bisedë me zotërinjtë Ziadin Sela dhe Afrim Gashi ka theskuar nevojën që Aleanca dhe Alternativa të jenë një opozitë konstruktive dhe e angazhuar. Ambasadorja i ka inkurajuar ata që të punojnë së bashku me të tjerët për zgjidhjen e sfidave me të cilat përballet Maqedonia e Veriut, sipas një njoftimi në Facebook të Ambasadës amerikane në Shkup.

Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim, i cili i ka dhënë mbështetje kompromisit midis Zaevit dhe Mickovskit, vlerëson se diaspora shqiptare do të ketë shumë më tepër kohë për t’u regjistruar, përkatësisht për diasporën nuk ndërpritet procesi i filluar më 1 mars. Censusi brenda vendit që duhej mbajtur nga 1 deri më 21 prill, do të shtyhet për në vjeshtë, për t’u realizuar nga 5 – 30 shtator.

Dy partitë më të mëdha maqedonase e arsyetojnë nevojën e shtyrjes me gjendjen e koronavirusit në vend që është përkeqësuar në disa javët e fundit.

Të enjten në Shkup arritën 20 mijë vaksina ruse Sputnik V si donacion nga Serbia fqinje, e cila do të dërgojë edhe po kaq vaksina të prodhuesit rus brenda një të ardhmeje të afërt. Autoritetet shëndetësore e filluan të mërkuren vaksinimin me grupmoshën mbi 77 vjeç me vaksinat AstraZeneca.

Vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 29 viktima dhe 1,402 raste me Covid-19. Deri më tani jetën e kanë humbur 3,810 persona, ndërsa nga 131.242 të diagnostikuarit 18,874 janë raste aktive./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat