Reagon Lëvizja për Shtet dhe Drejtësi për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë

Maqedonia

Reagon Lëvizja për Shtet dhe Drejtësi për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë

Më: 8 prill 2021 Në ora: 15:36
Lëvizja për Shtet dhe Drejtësi

Vendimi për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë, i marrë ne takimin kokë më kokë mes kryeministrit Zaev dhe liderit të VMRO Mickovski, duke përjashtuar partitë shqiptare nga vendimmarrja, është dëshmia e radhës që flet qartë jo vetëm për mungesën e plotë të kohezionit ndëretnik, por edhe të një dialogu minimal ndëretnik që do të siguronte qëndrueshmërinë e shtetit.

Liderët e dy partive sllave, me këtë takim, dhe me këtë vendim dhanë mesazhin e qartë dhe moskokëçarës për ekskluzivitetin që kanë mbi pushtetin dhe vendimmarrjet politike për fatin e shtetit, të cilin ua mundëson pikërisht kushtetuta unitare, e cila shtetin e definon si shtet komb të sllavëve të vetëquajtur “maqedonas”. Vendimi për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë edhe pas 20 viteve nga regjistrimi i fundit dhe arroganca me të cilin ju imponua shqiptarëve vullneti politik i bashkësisë etnike sllave për të shtyrë regjistrimin, dha mesazhin e qartë për mungesën e plotë të gatishmërisë për bashkëjetesë me shqiptarët si dy popuj të barabartë.

Nga ana tjetër, gatishmëria e partive politike shqiptare në koalicionin qeverisës për të votuar symbyllur vendimin paraprakisht të marrë nga dy partitë sllave për shtyrjen e regjistrimit, tregon vasalitetin e tyre politik ndaj partive sllave.

Nisur nga kërcënimi që përfaqëson kushtetuta aktuale për të ardhmen e shqiptarëve në këtë shtet, si dhe rezikun permanent për konflikte ndëretnike, LSHD fton të gjitha forcat përparimtare, partitë politike dhe aktivistë të shoqërisë civile me agjenda kombëtarë, dhe të gjithë ata që duan një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre të drejtojnë tehun e revoltës dhe të gjitha aktiviteteve politike drejt ndryshimit të kushtetutës si burimin kryesor të diskriminimit dhe çelësin e zgjidhjes së çështjes shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë, çdo përfaques shqiptar në institucionet e shtetit, parlament, ekzekutiv duhet të ndjejë trysninë e fortë dhe pa kompromis të shoqërisë shqiptare, për t’ua bërë atyre të qartë përgjegjësinë morale, politike, historike dhe pse jo në një të ardhme edhe atë penale, për çdo miratim dhe votim të vendimeve dhe ligjeve në dëm të interesave të shqiptarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat