“Pasaportat”, skandali prish imazhin e Maqedonisë

Maqedonia

“Pasaportat”, skandali prish imazhin e Maqedonisë

Më: 10 prill 2021 Në ora: 16:26
Foto ilustrim

Skandali i paprecedentë me mbi 200 pasaportat që vendi iu dha bosëve të mafias ndërkombëtare, ka dëmtuar mbi 1000 hetime që zhvillohen nga shtete të ndryshme. Ekspertët vlerësojnë se skandali ka shkelur parimet e Interpolit dhe ka prishur imazhin e vendit. Mega-skandali me të cilin kriminelëve iu mundësua “azil i fshehur”, thotë Lubomir Gjurçevski, do të shënohet në të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare.

“Do të kthehemi mbrapsht, në periudhën 2008-2010, kur negocionim me BE-në për zonën Shengen, për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Maqedonisë. Me mbrojtjen e krimit të organizuar të mafias botërore, meqë ka kolumbianë, meksikanë dhe gjithçka tjetër që ne ende nuk i dimë, në vend që të bisedojmë për fillim të negociatave për anëtarësim, do të kalojmë në negociata për shpëtim nga kthimi eventual i regjimit të vizave”, deklaroi Lubomir Gjurçeski, ekspert sigurie.

Gjurçevski është decid se vendi do ta ketë vështirë të pastrojë këtë njollë të zezë dhe më e pakta që mund të bëhet është të përfshihet bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht BE-ja në zbardhjen e rastit. Sipas tij, procedura e dhënies së pasaportës nuk është e thjeshtë dhe nuk mund të kryhet vetëm nga referenti, andaj përgjegjësinë duhet ta mbajë kreu i dikasterit të brendshëm, Spasovski.

Nga ana tjetër, opozita maqedonase vazhdon të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit Zaev dhe Ministrit të Brendshëm, Spasovski. Sipas OBRM-PDUKM-së, pos mbrojtjes së mafias, skandaloz është edhe fakti që zyrtarët e arrestuar janë të afërt me Spasovskin.

“Edhe një në vazhdën e atyre që kanë pasaporta të Maqedonisë, nga ato të Zaevit dhe Spasovskit është Loi Volina, i zënë në vitin 2019 dhe i dënuar në vitin 2020 me 6 vjet burg në Spanjë për tregti me drogë, i cili gjatë arrestimit ka pasur pasaportë të Maqedonisë të një njeriu tjetër me iniciale N. M. A”, pohoi Gjorgjija Sajkoski, OBRM-PDUKM.

Qeveria ka hedhur poshtë akuzat, pasi sipas saj ka ndodhur kur OBRM-PDUKM-ja ka qenë në pushtet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat