Bekteshi: Nesër do të miratohet Ligji për mbështetjen financiare për pagesën e pagave, punëdhënësit do të mund të aplikojnë deri më 30 prill për dy muaj në të njëjtën kohë

Maqedonia

Bekteshi: Nesër do të miratohet Ligji për mbështetjen financiare për pagesën e pagave, punëdhënësit do të mund të aplikojnë deri më 30 prill për dy muaj në të njëjtën kohë

Më: 14 prill 2021 Në ora: 21:55
Kreshnik Bekteshi

Pakoja e ligjeve që dalin nga Pakoja e pestë e masave për mbështetje të ekonomisë gjatë ditës së nesërme do të vendoset në rendin e ditës të seancës në Kuvend, me cka më në fund pritet të votohet, para të gjithave Ligji për Mbështetjen Financiare pë r pagesën e pagave. Duke pasur parasysh që këto ligje janë bllokuar nga opozita për një kohë të gjatë me amendamente, afati i aplikimit është zgjatur, tha Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi gjatë paraqitjes së tij në emisionin “24 Analiza” në Televizionin 24.

“Afati i fundit për të aplikuar për masën për mbështetjen financiare për pagesën e pagave për muajt shkurt dhe mars është zgjatur deri më 30 prill, ndërsa risia është se punëdhënësit do të mund të aplikojnë për të dy muajt njëherësh. Sapo Ligjet të miratohen nga deputetët dhe të publikohen në Gazetën Zyrtare, do të hyjnë menjëherë në fuqi, me cka do të fillojë zbatimi i masave,” deklaroi Ministri Bekteshi.

Ministri u bëri thirrje të gjithë punëtorëve të mos nënshkruajnë kontratat blanko, largimet nga puna sepse edhe përkundër bllokimit të masave në Kuvend, ata më në fund do të marrin pagat e tyre.
Bekteshi theksoi se Pakoja e Pestë nuk është vetëm një masë për mbështetjen financiare për pagesën e pagave, por ka edhe një numër masash të tjera që nënkuptojnë mbështetje indirekte për kompanitë dhe firmat.

“Katër Pakot e para të masave kanë vlerën totale prej 860 milion euro, tashmë të zbatuara, dhe duhet të dihet se ka masa të ndryshme, dmth ose shteti heq të ardhurat ose ka mbështetje të drejtpërdrejtë financiare nga buxheti ose shtyrje në pagimin e tarifave të caktuara që duhet të paguajnë qytetarët dhe kompanitë. Ky ishte qëllimi ynë dhe thirrja për opozitën për të zhbllokuar ligjet në Kuvend, sepse ne kemi ligje që nuk janë miratuar ende, kurse të njejtat tashmë duhej të ishin zbatuar që nga viti i kaluar “, ceku Bekteshi.

Për spekulimet që u thanë në publik se më shumë se 60,000 njerëz humbën punën e tyre gjatë kohës së pandemisë, Ministri Bekteshi tha se ishin rreth 18,300 njerëz, sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit, përfshirë këtu edhe ata që humbën punën me marrëveshje.

“Në muajt e parë të këtij viti, janar, shkurt dhe mars, krahasuar me vitin e kaluar, kemi rritje të të ardhurave në buxhet, që do të thotë rritje e aktivitetit ekonomik. Nëse ka rritje të tatimit mbi të ardhurat do të thotë që ose kemi rritje të pagave ose kemi punësime të reja. Kemi rritje në tatimin mbi të ardhurat me 1%, nëse ka lëshime nga puna atëherë si mund të ketë rritje në tatimin mbi të ardhurat”, nënvizoi Ministri Bekteshi.

Ministri informoi se aktualisht është duke u përgatitur një pako e re shtesë e masave për të mbështetur aktivitetet që janë të mbyllura me vendim të Qeverisë me rekomandimin e Komisionit për Sëmundjet Infektive siç është sektori i hotelierisë.

“Pakoja është në përfundim e sipër, me siguri do ta publikojmë javën tjetër dhe do të fillojmë me realizimin. Do të merren parasysh të ardhurat mesatare që raportuan kompanitë në këtë sektor në tremujorin e parë të këtij viti, një përqindje e caktuar do të jetë drejtpërdrejt si grant nga Qeveria dhe do të merren parasysh ditët që ata ishin të mbyllur pra ditët kur nuk kanë punuar, ” deklaroi Ministri dhe shtoi se kjo është një masë shtesë për hotelierinë, e cila nuk ishte parashikuar në Pakon e Pestë të masave të Qeverisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat