DEA në terren, policë të përfshirë në trafikun e drogës, zv.ministri i Brendshëm pranon lidhjet

Maqedonia

DEA në terren, policë të përfshirë në trafikun e drogës, zv.ministri i Brendshëm pranon lidhjet

Më: 16 prill 2021 Në ora: 19:03
Aksion i Policisë

Disa aksione anti-drogë në Maqedoninë e Veriut kanë nxjerrë në pah lidhjet mes narko-trafikantëve dhe pjesëtarëve të policisë.

Në fillim të prillit u arrestuan 9 efektivë policie, për shkak se kishin dhënë pasaporta të falsifikuara për 215 bosë droge nga rajoni dhe më gjerë. Në një aksion tjetër, koordinuar nga policia amerikane anti-drogë DEA, kryeshefi i policisë së qytetit të Prilepit u kap me 200 kilogramë kanabis.

Nga ana tjetër, zv/ministri i brendshëm, Nazim Bushi thotë për Euronews Albania se policia ka kapacitet për të luftuar betejën kundër trafikut të drogës.

“Kapacitetet e Ministrisë së Brendshme janë të fuqishme dhe të afta për këtë punë, por autoritetet e jashtme si DEA janë përfshirë në këto raste pasi që kemi pasur indikacione se edhe grupe rajonale kanë qenë të kyçura në këtë kontrabandë me drogë”, thotë Nazim Bushi, zv.ministër i Brendshëm.

Përfshirja e nëpunësve policorë në rrjetet e krimit jo vetëm që e vështirëson punën e policisë me sabotime të ndryshme, por edhe dëmton imazhin para qytetarëve.

Maqedonia e Veriut ka legalizuar kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore, por edhe këto licenca po keqpërdoren.

“Është vërtetuar edhe nga Ministria e Bujqësisë edhe nga ajo e Shëndetësisë edhe nga Ministria e Brendshme, se ka keqpërdorime të licencave për kultivimin e kanabisit, fabrikave që merren me kultivimin e marijuanës. Kontrollin e tyre duhet ta bëjnë Ministria e Bujqësisë dhe Shëndetësisë. Ministria e Brendshme këtu nuk ka qasje. Kohëve të fundit bëhet fjalë për tre ose katër kompani që kanë keqpërdorur licencën”, thotë ministri.

Ndërkohë, opozita në Maqedoninë e Veriut ka akuzuar disa herë pushtetin se është bërë mburojë e narko-bizneseve kriminale, me qëllim përfitime personale për pushtetarët, akuza të cilat mohohen nga qeveria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat