MASH: Thirrje nxënësve të mos bojkotojnë mësimin

Maqedonia

MASH: Thirrje nxënësve të mos bojkotojnë mësimin

Më: 29 prill 2021 Në ora: 20:23
Foto ilustrim

Ministria e Arsimit ka reaguar ndaj thirrjes së një grupi joformal për bojkotim të mësimit nga nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Me bojkot dëmtohen drejtpërsëdrejti nxënësit, theksojnë nga Ministria e Arsimit, duke e vlerësuar të paarsyeshme thirrjen për bojkot nëse merret parasysh se digjitalizimi i arsimit është proces global që ndodh në shumë vende të botës.
“Digjitalizimi i materialeve për mësim është i definuar në Ligjin e ri për libra dhe materiale të tjera mësimore dhe është paraparë të ndodhë me etapa, duke nisur nga klasa e katërt nga viti i ardhshëm dhe për momentin kjo nuk i prek nxënësit e shkollave të mesme dhe nuk ka arsye për mungesë të tyre në mësim.”,- thonë nga MASH.

Njëherti theksohet se ligji është në përputhje me epokën e teknologjisë digjitale. Nga thirrja për bojkot është distancuar Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme. Lidhur me librat digjitalë nga Unioni vlerësojnë se ajo duhet të jetë e drejtë e zgjedhjes për çdo nxënës.

Ministria e Arsimit ka reaguar ndaj thirrjes së një grupi joformal për bojkotim të mësimit nga nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme.

Me bojkot dëmtohen drejtë për së drejti nxënësit, theksojnë nga Ministria e Arsimit nëpërmjet një njoftimi, ku thuhet se “pasi u njoftuam se disa grupe të izoluara në disa shkolla në shtet, me udhëzime nga prindërit dhe kujdestarët, e bojkotojmë mësimin, u bëjmë thirrje që të përfshihen në klasat e tyre, për shkak se është më mirë për edukimin e tyre”. Ata theksojnë se arsyeja për bojkotim të mësimit është e paarsyeshme nëse merret parasysh se digjitalizimi i arsimit është proces global, që ndodh në shumë vende të botës.
Grupi joformal në Facebook “Libra dhe mësim patjetër të ketë”, që ka mbi 70 mijë ndjekës, dje para Ministrisë së Arsimit kanë shpalosur kërkesat e tyre, që të ndalohet miratimi i Ligjit të ri për librat shkollorë, të organizohet debat publik dhe ekspertë të tyre të marrin pjesë në revizionin dhe intervenimet në këtë ligj.

Avokati i Popullit rekomandime për MASh: Librat digjitalë ide e mirë, por siguroni kushte

Pas kritikave të shumta rreth idesë për librat digjitalë, zyra e Avokatit të Popullit, përmes rekomandimeve drejtuar MASH-it, thotë se “ideja është e mirë, por vetëm nëse sigurohen paraprakisht të gjitha parakushtet për zbatimin efikas për të gjithë nxënësit dhe duke marrë parasysh mundësitë e prindërve për të siguruar pajisje teknologjike për fëmijët e tyre. Në të kundërtën, sipas Ombudsmanit, më të prekurit do të ishin përsëri fëmijët nga grupet e rrezikuara, të cilët nuk kanë qasje në pajisjet elektronike dhe internet. Këto pajisje duhet t’i sigurojë shteti”, thonë nga Avokati i Popullit, duke përkujtuar se arsimi fillor falas garantohet nga Kushtetuta dhe ligji.
“Çdo veprim ndryshe, do të diskriminonte një pjesë të nxënësve duke krijuar pabarazi mes nxënësve. Reformat dhe modernizimi i arsimit fillor, duhet të bazohen në një vlerësim të mirë të kapaciteteve teknike dhe teknologjike aktualisht në dispozicion nëpër shkolla, si dhe duke vlerësuar aftësitë digjitale të mësimdhënësve. Të gjitha shkollat fillore duhet të kenë infrastrukturë dhe pajisje me kompjuterë, borde inteligjente dhe mjete të tjera IT, internet të përhershëm në secilën klasë. Sipas Ombudsmanit, duhet pasur kujdes rekomandimi i ekspertëve edhe për orët që fëmijët do të kalojnë para kompjuterëve dhe dëmet që kjo i shkakton shëndetit të tyre.”
Avokati i Popullit shpreh ndërkohë kënaqësi që për herë të parë në vitin akademik 2021/2022 të gjitha librat shkollorë do të jenë edhe në format audio dhe në alfabetin Braille për nevojat e nxënësve me shikim të dobët, por thekson se “secila shkollë duhet të jetë e adaptuar dhe pajisur në mënyrë infrastrukturore (me kompjuterë me tastierë Braille, printera Braille, lexues ekrani dhe teknologji tjetër të nevojshme) në mënyrë që të përfshijë në procesin arsimor edhe nxënësit me shikim të dëmtuar plotësisht në bazë të barabartë me fëmijët e tjerë,“ thuhet në letrën e zëvendësavokates së popullit, Vaska Mustafa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat