Politikën shqiptare nuk e bashkon as Dita e Dëshmorëve

Maqedonia

Politikën shqiptare nuk e bashkon as Dita e Dëshmorëve

Më: 5 maj 2021 Në ora: 19:06
Homazhet

Zyrtarët e Bashkimit Demokratik për Integrim, të prirë nga Ali Ahmeti, me akademi përkujtimore në ambiente luksoze në Shkup. Një pjesë e integristëve të prirë nga Hazbi Lika me homazhe në Tetovë, ndërsa kreu i Aleanca për Shqiptarët Ziadin Sela në kompleksin memorial në Poroj të Tetovës. Kështu shqiptarët shënuan 5 majin, ditën e dëshmorëve.

Ndonëse nuk i bashkojnë as ditët kur kujtohen dëshmorët e krismat e para, sot kreun e shumicës shqiptare Ali Ahmetin dhe atë të opozitës Ziadin Sela, i bashkoi qëndrimi se ka ende punë për t’u bërë.

“Ne kemi arritur mjaft por e mjaftueshme asnjëherë nuk është, përderisa misioni jonë, punët tona, akoma nuk janë përmbyllur, kemi edhe shumë për të bërë, sepse kemi obligim ndaj të rënëve, kemi obligim ndaj gjakut që është derdhur, kemi obligim para familjeve të dëshmorëve”, tha kreu integrist në akademinë përkujtimore.

“Unë preferoj që festat shpesh herë të jenë edhe ditë reflektimi për të gjithë ne, si prindër, si qytetarë, si politikanë, si profesionistë të lëmive ku ne gjithsecili veprojmë që ku jemi dhe deri ku janë amanetet e këtyre njerëzve që kanë sakrifikuar më të shtrenjtën e tyre, familjen dhe gjakun e tyre. Vetëm duke reflektuar në mënyrë të drejtë dhe sinqertë ne do të duhet të arrijmë në konstatimin që kemi shumë punë për të bërë”, u shpreh kreu i ASh-së, Ziadin Sela.

SHVL-UÇK bëri homazhe në nivel të brigadave në vendprehjet e dëshmorëve në Tetovë, ndërsa nderimin për të rënët e përmbyllën në Kompleksin memorial pas Teqes. Këtu ishte ish-pjesëtari i UÇK-së si dhe ish-zëvendëskryeministri Hazbi Lika, kryetarja e komunës Teuta Arifi si dhe disa anëtarë të tjerë të BDI-së. Në fjalën e tij Lika tha se për dëshmorët është folur dhe janë kujtuar shpesh, e që nuk mjafton, por edhe nëse flitet, nuk mund të thuhet më shumë se sa kanë thënë ata me veprat e tyre.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat