Kalkulimet fillestare për lokalet 2021! Nisin sondazhet brendapartiake

Maqedonia

Kalkulimet fillestare për lokalet 2021! Nisin sondazhet brendapartiake

Më: 7 maj 2021 Në ora: 08:03
Ali Ahmeti, lideret e Aleances dhe Alternatives

Pesë muaj na ndajnë nga zgjedhjet lokale, e partitë kanë nisur me anketat dhe kalkulimet e para brendapartiake për kandidatët për kryetarë komunash. TV21 nga burime partiake ka mësuar emrat e mundshëm të cilët pushteti dhe opozita shqiptare po mendojë t’i kandidojë.

Në Çair, BDI tash për tash ka dy kandidatë potencialë. Lufta brenda partiake  bëhet mes dy emrave. Rikandidimit të kryetarit Visar Ganiut, për të cilin burimet tregojnë se e ka përkrahjen e nënkryetarit Izet Mexhitit, po nuk dihet sa e ka përkrahjen e partisë, sepse nga ana tjetër kundër kandidat mund të ketë Adrian Muçën, drejtorin aktual të “Parqe dhe Gjelbërime”, që përkrahet nga partia. Se cili nga këta dy kandidatë mund garojë nën fanellën e BDI-së do të varet nga rikonstruimi mundshëm i qeverisë.

Në anën tjetër, tek kampi opozitar edhe pse dukej se Bekim Sali nga Alternativa e ka pozitën e sigurt për kandidat, ndërkohë është paraqitur emri i kryetarit të ri të degës së ASh-së, Zudi Koka. Me të Aleanca duket se po përforcon ndikimin e saj në Çair, duke i rritur kështu ambiciet për komunën. Në ndërkohë ka zëra se edhe Skender Rexhepi synon kolltukun e të parit të Çairit.

Në Tetovë, dy emrat potencial të integristëve janë kryetarja aktuale Teuta Arifi, e cila do të rikandidonte për herë të tretë, ose Florin Besimi, aktualisht drejtor i klinikës së Tetovës. Koalicioni Aleanca-Alternativa për këtë komunë në mendje ka disa emra. Vjollca Berisha, Ilir Demiri ose Muzafer Etemi.Mësohet se opozita ka menduar edhe për Hazbi Likën, i cili tashmë gjatë kohë është tërhequr nga BDI-ja, po çuditërisht dje në homazhet tek dëshmorët u pa bashkë me Teuta Arifin, e zyrtarë të tjerë të BDI-së.

Në Gostivar, integristët po planifikojnë ta rikandidojnë Nevzat Bejtën, ndërsa opozita shqiptare si opsion sheh rikandidimin e Arben Taravarit, ose kandidët e rinj, deputetin Halil Snopçe ose mjekun Asim Izairi.

Në Dibër, BDI bën plan të vazhdojë me Hekuran Dukën, kurse Aleanca-Alternativa Ilirjan Fetahun ose Bekim Pocestën.

Kërçovën integristët mendojnë se do ta fitonin sërish me Fatmir Deharin, por përflitet edhe emri i ministrit Kreshnik Bekteshi. Ky i fundit në ClickPlus u pat shprehur i sigurt se nuk do të jetë kandidat, por me sa duket, emri i tij vazhdon të shihet si i mundshëm për kryetar të Kërçovës. Gjithsesi me sa duket edhe kjo varet nga rikonstruimi i mundshëm i Qeverise. Nga ana tjetër, Aleanca-Alternativa këtë qytet e pretendon me emrin e Remzi Mehmedit, aktualisht nënkryetar i ASh-së.

Një ministër tjetër nga radhët e BDI-së që përflitet të kalojë në komunë është Jeton Shaqiri. Në fakt, burimet tregojnë se integristët për Strugën ende kalkulojnë mes kandidimit të Shaqirit ose rikandidimin e kryetarit aktual Ramiz Merko. Opozita shqiptare ndërkaq në mendje ka Ymer Ymerin.

Sa u përket komunave më të vogla, në Vrapçisht pritet që BDI të kandidojë Nebi Rexhepin, ndërsa opozita shqiptare të rikandidojë Isen Shabanin. Në Bogovinë BDI në garë mund të dalë me Nurhan Izairin.

Sipas burimeve kalkulimet për zgjedhjet lokale të tetorit, mund të sjellin deri te rikonstruimi i Qeverisë që pritet të ndodhë në fund të majit ose fillim të qershorit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat