Zurabishvili: Hapja e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në do të jetë sinjal i fuqishëm për Gjeorgjinë

Maqedonia

Zurabishvili: Hapja e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në do të jetë sinjal i fuqishëm për Gjeorgjinë

Më: 10 maj 2021 Në ora: 15:35
Salome Zurabishvili

Anëtarësimi i Maqedonisë e Veriut në NATO është një sinjal shumë i fortë se dera e Aleancës është me të vërtetë e hapur dhe se nuk është vetëm çështje fjalësh, por një realitet që na jep të gjithëve optimizëm. Shpresoj që kjo të ndodhë me hapjen e negociatave të aderimit me BE, i cili do të jetë gjithashtu një sinjal i shkëlqyeshëm për Gjeorgjinë, sepse kjo është perspektiva jonë e përbashkët.

Këtë e deklaroi presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili e cila është për vizitë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në një konferencë të përbashkët për shtyp me nikoqirin e saj, presidentin Stevo Pendarovski.

“Ne kemi parë që Maqedonia e Veriut në të kaluarën ka tejkaluar një pengesë të tillë, unë do të thoja një pengesë më serioze në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO. Jam e bindur që në të njëjtën mënyrë Maqedonia e Veriut do të jetë në gjendje të kapërcejë pengesën me të cilën po përballet aktualisht. Ne, vendet e vogla që në të kaluarën kemi treguar qëndrueshmëri, jemi përballur me shumë ngjarje historike në shekujt e kaluar, me pushtime, okupime, kemi mësuar se duhet të jesh elastik, të jesh kokëfortë, të njohësh drejtimin që po shkon. Ne vendet e vogla jemi optimiste sepse shohim rezultate. Për ne, si Gjeorgji, rezultati që Maqedonia e Veriut ka arritur me anëtarësimin në NATO është një sinjal shumë i fortë se dera e Aleancës është me të vërtetë e hapur dhe se nuk ka të bëjë vetëm me fjalë, por me një realitet që na jep të gjithëve optimizëm. Në të njëjtën kohë, shpresoj se kjo do të ndodhë me hapjen e negociatave të aderimit, që do të jetë një sinjal i shkëlqyeshëm edhe për Gjeorgjinë, sepse kjo është perspektiva jonë e përbashkët”, tha presidentja gjeorgjiane kur u pyet nga gazetarët se si e komenton pengesën me të cilën përballet Shkupi në rrugën drejt BE-së.

Presidenti Pendarovski, kur u pyet për qëndrimin e tij në lidhje me deklaratat e eurokomisarit Oliver Varhei për ndarjen e Shkupit dhe Tiranës në rrugën e integrimit evropian, tha se nuk do të donte ta komentonte, por sipas përshtypjes nga takimi që e ka pasur me të në Bruksel, konsideron se Varhei këtë e shikon si mundësi potenciale nëse kontesti me Bullgarinë zvarritet me vite, ashtu si kontesti me Greqinë.

“Ju siguroj se në bisedën time me të dhe në bisedat e mia në Bruksel 10 ditë më parë, absolutisht në asnjë nivel, askush nga bashkëbiseduesitt e mi nuk ma ka bërë atë pyetje – çka mendojmë për ndarjen e mundshme nga Republika e Shqipërisë. Të gjithë, edhe në Këshill, edhe në Komision edhe në departamentet vetanaka, veçanërisht ai për zgjerimin, nuk mendojnë për ndarje por të gjitha përpjekjet, të gjitha forcat janë të përqendruara drejt asaj që nga fundi i këtij viti të mbahet Konferenca e parë ndërqeveritare”, tha presidenti Pendarovski, duke theksuar edhe vizitën e sotme të kryeministrit Zaev në Bruksel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat