Zaev në Bruksel: Liderët evropian e kuptojnë se identiteti maqedonas nuk është për negociata

Maqedonia

Zaev në Bruksel: Liderët evropian e kuptojnë se identiteti maqedonas nuk është për negociata

Më: 11 maj 2021 Në ora: 14:52
Zoran Zaev

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut në mesazhin e tij përmbyllës të vizitës së tij dyditore në Bruksel, tha se përfaqësuesit kyç të Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian dhe institucioneve të tjera të evropiane, e dinë dhe e kuptojnë se identiteti maqedonas nuk është për negociata dhe asnjëherë nuk do të jete.

“Von der Leyen, Varhejli, Sasoli, Borrel, Timermans, Lajçka, Veber, Kyçyk, Çollosh  – të gjithë liderët dhe përfaqësuesit evropian e dinë dhe e kuptojnë pozicionin tonë – ndërsa dikush tenton dhe e shohim se tenton që gjuha maqedonase dhe identitetin maqedonas ta vë në tavolinën evropiane për negociata, ne nuk do të negociojmë. Kemi porositur qartë dhe zëshëm dhe përsërisim – largojeni çdo diskutim për gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas nga tavolina e bisedimeve në Bruksel – pas asaj mund të vazhdojmë të bisedojmë për ardhmërinë tonë evropiane”, tha Zaev.

Ai ka shtuar më tej se e dinë se duhet të lëvizin së bashku dhe përpara me miqtë evropian dhe se janë për mobilizim dhe jo për mure.

Në këtë rrugë të përbashkët, ka thënë Zaev, gjithkush duhet t’i kryejë obligimet e veta – Maqedonia e Veriut ka përmbushur reformat është koha që edhe BE të përmbush atë që ka premtuar ndaj nesh.

Paraprakisht, gjatë ditës së sotme kryeministri Zaev ka realizuar takime të ndara edhe me eurodeputetin Ilhan Kyçyk që është raportues për Maqedoninë e Veriut, si dhe për kryesuesin e grupit parlamentar të “Ripërtrirje e Evropës”, Dacian Çolosh.

Në dy takimet është shprehur mbështetje e fuqishme se procesi qasës duhet të fokusohet në legjislacionin evropian AKI dhe është konkluduar se të gjitha çështjet tjera, të cilat nuk kanë lidhshmëri me AKI duhet të adresohen në formë bilaterale.

Kryeministri Zaev i shoqëruar nga një delegacion qeveritar, dy ditët e fundit ka qëndruar për vizitë zyrtare në Bruksel, ku ka zhvilluar takime me përfaqësuesit më të lartë të Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, si dhe takime me disa ministra të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat