Shekerinska: Tërhiqni amendamentet! Opozita kërkon që pushteti t’i pranojë vërejtjet e tyre

Maqedonia

Shekerinska: Tërhiqni amendamentet! Opozita kërkon që pushteti t’i pranojë vërejtjet e tyre

Më: 11 maj 2021 Në ora: 19:28
Radmilla Shekerinska

Pjesëtarët e Armatës së Maqedonisë të kursehen nga betejat partiake, porositi ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, pasi që dje opozitarja VMRO-DPMNE me rreth 2 mijë amendamente bllokoi ndryshimet e Ligjit për shërbim në Armatë.

“Bllokada nuk ka të bëjë me interesimin e VMRO-DPMNE për të bërë ligj më të mirë. Kishin 11 vite në pushtet për të zgjidhur këto probleme, nuk i zgjidhën. Kishin edhe 3 vjet si opozitë për të dhënë propozime të tilla, nuk dhanë. Bllokada ka të bëjë vetme me përshtypjen e tyre se nëse bllokojnë vetëm atëherë do të fitojnë ndonjë pikë politike. Më vjen keq që kësaj here kanë zgjedhur të përfitojnë pikë politike në kurrizin e pjesëtarëve të Armatës”, tha Radmilla Shekerinska – Ministre e Mbrojtjes.

Nga grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE thonë se propozimi për ndryshim të ligjit nuk është zgjidhje e mirë dhe kërkojnë ose të miratohet propozimi i tyre ose të pranohet vërejtjet e tyre për tekstin e propozuar.

“Grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE dhe Koalicionit, përmes amendamenteve kërkojnë përmirësim të kushteve për pensionim dhe dhënies së mundësisë personelit ushtarak aktiv dhe civil në Armatë t’i ndërpritet marrëdhënia e punës në bazë të ligjit me realizimin e të drejtës për pension me mbushjen e 40 viteve stazh ose me arritjen e moshës 55 vjeçare. Me propozimin e Shekerinskës kjo nuk është paraparë dhe nga këtu automatikisht humbet kuptimi dhe nevoja e stazhit me benefit”, u shpreh Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.

Përveç këtij propozimi për ndryshim të Ligjit, në Kuvend mbeten të bllokuar edhe 27 ligje të tjera kryesisht nga partitë opozitare VMRO-DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët. Mes tyre është edhe ligji për ndërtimin e qendrës së re klinike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat