Sezoni turistik në Maqedoni, me kuponë të ndryshëm

Maqedonia

Sezoni turistik në Maqedoni, me kuponë të ndryshëm

Më: 13 maj 2021 Në ora: 21:51
Foto ilustrim

Shteti vonon me publikimin e masës për lëshimin e kuponëve turistik për këtë sezon, reagojnë nga sektori i turizmit. Sipas tyre, Qeveria duhej këtë ta kishte bërë më herët, sepse jemi në prag të verës.

@Çdo shtet i organizuar duhet të planifikojë shumë më herët. Muajt maj, qershor janë fillimi i e verës. Nuk e di kush mund të reagojë më pas. Reagimet e qeverisë, posaçërisht në fushën e turizmit, janë shumë të ngadalta. Është e paqartë ende çështja e kuponëve. U përmendën nga Qeveria kuponë familjarë me vlerë prej 250 euro, por nuk ka asgjë nga kjo për momentin”, deklaroi Naume Ugrenoviq- pronar hoteli në Strugë.

Ndryshe, vitin e kaluar mbetën pa shfrytëzuar një pjesë e madhe prej 100 mijë kuponëve, kështu që, gastronomët kërkojnë që ato të vlejnë edhe për këtë verë.

“Vitin e kaluar u ndanë shumë kuponë kurse shumë mbetën të papërdorura. Këto kuponë të papërdorur duhet të jepet mundësia që të përdoren këtë vit”, tha Naume Ugrenoviq.

Agjencitë turistike kërkojnë që në fillim të përfshihet përdorimi i kuponëve, sepse provizioni i agjencisë është llogaritur në çmimin e hotelit.

“Strategjia duhej të ishte më herët. Disa hapa janë të gabuar dhe të vonuar për momentin. Atë problem e patëm vitin e kaluar. Qeveria lëshoi kuponë. Fillimisht, deklaronte se nuk mund të përdoren përmes agjencive, më pas prisni – ne do të ndryshojmë mendje. Ndërsa dolën ata, u përdorën dhe askush nuk shkoi përmes agjencive”, pohoi Biljana Menkinoska-pronare e agjencisë turistike.

Por, ndryshe nga viti i kaluar kur u dhanë më shumë se 100,000 kuponë, këtë vit, siç bën të ditur për Alsat nga Ministria e Ekonomisë, shteti do të shpërndajë vetëm 1,250 të tillë. Ato do të jenë të destinuara për familje me të ardhura të ulëta, të ardhurat mujore të të cilave janë deri në 30 mijë denarë dhe do ta kenë vlerën 200 euro.

Nga dikasteri i Ekonomisë shpjegojnë se masa nuk është e vonuar sepse deri para disa javësh gastronomët nuk kanë punuar fare. Përndryshe, nuk bëhet fjalë për kuponë të njëjtë nga viti i kaluar që ishin pjesë e të ashtuquajturve masa kundër Covidit, por për aktivitet të rregullt në kuadër të programit të mbështetjes së turizmit të brendshëm për punëtorët me të ardhura të ulëta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat