Rishikimi i buxhetit, dyfish më shumë për Qeverinë e Maqedonisë

Maqedonia

Rishikimi i buxhetit, dyfish më shumë për Qeverinë e Maqedonisë

Më: 14 qershor 2021 Në ora: 18:49
Qeveria e Maqedonisë

Me rishikimin Qeveria ka dyfishuar buxhetin e saj, me të cilin planifikon ta ketë në dispozicion këtë vit. Me ri-planifikimin e arkës së shtetit, buxheti i Qeverisë do të arrijë në 233 milion euro, ose gati 120 milion më shumë se buxheti fillestar.

Investimet kapitale, të cilat janë rritur me 26.9 për qind, ose me 107 milion euro, nuk do të realizohen përmes ndërtimit të rrugëve të reja dhe ndërtimit të objekteve të reja, por përmes programit qeveritar për: Skema kreditore garantuese përmes Bankës Zhvillimore në periudhën prill- tetor, -Kredi deri 0% përmes Bankës Zhvillimore për sektorët më të goditur, -Formim të Fondit për mbështetjen e hulumtimit dhe zhvillimit përmes Bankës Zhvillimore

Në pjesën më të madhe të ministrive, janë shkurtuar buxhetet, mes tyre 10 milionë euro është reduktuar buxheti i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve. Investime të reja kapitale planifikohen për ndërtimin e unazës “Sloveneçka”, riparimi i shtëpive të pleqve si dhe ndërtimi dhe pajisja e çerdheve të fëmijëve. Me rishikimin e buxhetit të Qeverisë vendoset norma e re –zhvillimi i gjelbër me buxhet prej 11,1 milionë euro.

Nga Qeveria theksojnë se paratë do të shpenzohen për ambientin jetësor.

“Përmes këtij programi, do të zbatohen aktivitete për qasje në ujë dhe ajër të pastër, pastrimin e deponive ilegale dhe zvogëlimin e emetimeve të gazit, të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës, shëndetin mendor dhe parandalimin e katastrofave natyrore”, thonë nga Qeveria.

Me rishikimin e buxhetit është njoftuar edhe taksa e re në formën e tatimit ekologjik pa sqaruar se çfarë tatimi mund të futet. Qëllimi i tatimit ekologjik do të jetë stimulimi i taksapaguesve përmes shpenzimeve publike të kontribuojnë për ndotje më të vogël.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat