Çair, shumë prej projekteve të parealizuara pritet të realizohen në 5 muajt e fundit të mandatit

Maqedonia

Çair, shumë prej projekteve të parealizuara pritet të realizohen në 5 muajt e fundit të mandatit

Më: 15 qershor 2021 Në ora: 17:41
Foto ilustrim

Më shumë se 1 milion euro nga mjetet qeveritare të cilat u ndanë sot për disa komuna të Maqedonisë së Veriut ka përfituar komuna e Çairit. Bëhet fjalë për 35 milion eurot të cilat fillimisht ishin planifikuar për ndërtimin e aeroportit kargo të Shtipit e që më pas u riorientuan drejt komunave. Ganiu në “Fejsbuk” shpjegoi se si do të shfrytëzohen këto para, shkruan Portalb.mk.

Disa prej projekteve të pa realizuara infrastrukturore të komunës së Çairit, për të cilat Portalb.mk ka informuar disa herë, janë përfshirë në listën e projekteve që do të realizohen me paratë të cilat kryeministri Zaev sot i shpërndau komunave në një ceremoni solemne.

Kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, informoi se punët për rikonstruimin e këtyre rrugëve si dhe rrjetit të ujësjellësit pritet të fillojnë brenda një muaji, ndërkaq bëhet fjalë për disa rrugë të këtij qyteti.

“Me këtë projekt do të bëhet Rikonstruimi i rrjetit ekzistues të ujësjellësit në rrugët: “Prohor Pçinski”, “Stojko Jovanovski”, “Lekë Dugagjini” (“Pere Toshev”), “Maksud Sadik“, “7 Korriku”, në lagjen Seravë, Sauk Çeshma 1 dhe 2; Rikonstruimi i rrjetit ekzistues të ujësjellësit do të bëhet edhe në rrugët:“Lekë Dugagjini”(“Pere Toshev”) nga ana e rrugës ”Xhon Kenedi” dhe në rrugën “Klinska Lesi” në lagjen Seravë. Ndërkaq rikonstruimi i kanalizimit ekzistues dhe ujërave fekale do të bëhet në rrugët: “Lekë Dugagjini” (“Pere Toshev”),“Klinska Lesi“ dhe në rrugën “Kovaçka” në Lagjen Seravë, sikurse edhe në rrugët “Ahmet Hajdari” (“Stojna Stevkova”), “Rifat Burxheviq” nga ana e rrugës ”Xhon Kenedi” dhe në rrugën “Serava” në Komunën Çairit” shkruan Ganiu në “Fejsbuk”.

Edhe pse mandati i Visar Ganiut përfundon për më pak se 5 muaj, shumë projekte infrastrukturore kanë ngelur në letër

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, në fushatën e tij parazgjedhore, premtoi projekte të mëdha infrastruktore, të cilat do ta transferonin këtë komunë, e cila për momentin përballet me kaos infrastrukturor.

Ganiu, për pjesën e infrastrukturës, kishte paraparë buxhet të përgjithshëm prej 158,332,118.00 denarësh (2,595,608 euro), me të cilin ai premtoi se do të realizojë një sërë projektesh në infrastrukturë, mes të tjerash parkingje prapa bllokut banesor në bul. Nikolla Karev, parkingje në udhëkryqin Xhon Kenedi dhe Kemal Sejfulla dhe rrethrrotullime në disa rrugë, përfshirë edhe atë “Cvetan Dimov”.

Në “Kontratën” e tij, Ganiu kishte parashikuar buxhet prej 1,156,293,957,00 denarë (18.8 milionë euro) për ndërtimin e 4 garazheve në kate në territorin e kësaj komune.

Ai kishte premtuar se do të ndërtohen garazhe në kate në “Saat Kullë”, për çka kishte parapara buxhet pre 176,668,200 denarë, (2,8 mln euro) garazh në kate te Teatri Shqiptar, ku kishte paraparë buxhet prej 112,455,000 denarë (1.8 mln euro). Garazhe në kate po ashtu, ishin premtuar edhe te Sheshi Skënderbeu dhe te “Çairçanja”, për të cilat ishte paraparë buxhet prej 786,169,857 denarë (12,7 mln euro) dhe 81,000,000 denarë (1,3 mln euro).

Ndryshe, disa prej projekteve të parealizuara pritet që të fillojnë me realizim brenda një muaji, kështu premtoi në “Fejsbuk” sot kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat