Ulja e papunësisë mbetet e varur nga investimet e huaja

Maqedonia

Ulja e papunësisë mbetet e varur nga investimet e huaja

Më: 17 qershor 2021 Në ora: 16:10
Maqedoni e Veriut: disa të rinj kalojnë mbi urën e Vardarit në Shkup (Foto nga arkivi)

Problemi i papunësisë mbetet në krye të shqetësimeve që kanë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, në bazë të hulumtimit që ka realizuar Qendra për Hulumtime Anketuese e Institutit Ndërkombëtar Republikan, IRI.

Përkatësisht në pyetjen se cili është për ju problemi më i rëndësishëm, 23% e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut, e kanë apostrofuar si shumë problematike çështjen e papunësisë dhe 22 për qind e të anketuarve, e kanë apostrofuar si problematike pandeminë dhe shqetësimet për qasjen në vaksinat kundër COVID-19.

Ndërkohë, Qeveria e Maqedonisë se Veriut brenda pesë vjetëve të ardhshëm, deri në vitin 2026, synon të përgjysmoj numrin e personave që kërkojnë punë, nga 16 për qind sa është aktualisht, në 8.6 për qind.

Image
Hulumtim i Qendrës për Hulumtime Anketuese e Institutit Ndërkombëtar Republikan

Përderisa mesatarja e papunësisë në nivel të vendeve evropiane, është në shkallën prej 6 për qind.

Njohësit e çështjeve ekonomike, thonë se shkalla e papunësisë mbetet në një korrelacion me atë se sa të shkathëta do të tregohen autoritetet udhëheqëse në menaxhimin e pasojave nga kriza e pandemisë. Në një afat sa më të shkurtër kohor, për ta problematike mbeten personat të cilët prej shumë vitesh kërkojnë punë dhe tashmë kanë kaluar të dyzetat.

Borçe Trenovski, nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit Shën Qirili dhe Metodi në Shkup, për Radion Evropa e Lirë, thotë se kriza e pandemisë imponoi më shumë ndryshime, përkatësisht për sipërmarrësit mbetet sfidë krijimi i një kuadri i cili do të disponojë me shkathtësi digjitale, do të jetë kreativ dhe inovativ për t` iu përgjigjur kërkesave që imponohen në tregun e punës.

Ai si shpresëdhënëse e sheh moshën e popullsisë, e cila mund të llogaritet si mjaft e re, kështu që të rinjtë që kërkojë punë lehtësisht u përshtaten rregullave të tregut të punës, megjithëse nënvizon se për uljen e papunësisë, në formë direkte do të varet nga thithja e investimeve të huaja.

“Eksporti dhe investimet e jashtme të drejtpërdrejta, të cilat do të sillnin me vete njohuri të reja, teknologji të re dhe do të tërheqin me vete dhe punësime të reja, do të jenë ajo shtylla vendimtare që do të kontribuojë në uljen e shkallës së papunësisë”, thotë Trenovski, sipas të cilit Maqedonia e Veriut nëse mbështet në kapacitet e veta, atëherë procesi i uljes së shkallës së papunësisë do të jetë i gjatë.

Image

Strategjia Fiskale e Maqedonisë së Veriut

Në bazë të Strategjisë Fiskale, të cilën e ka miratuar qeveria e Maqedonisë së Veriut parashihet që në planin afatmesëm, shkalla e papunësisë të ulet në 8.6 për qind, përderisa shkalla e punësimit të ngjitet në 54 për qind të popullsisë së përgjithshme.

“Në periudhën afatmesme, norma e rritjes ekonomike do të tejkalojë 5%, shkalla e papunësisë do të ulet në 8.6%, ndërsa shkalla e punësisë do të arrijë në 54.3%; paga mesatare do të rritet me normë mesatare prej rreth 4%, investimet bruto do të rriten deri në 36.2% në vitin 2026, ndërsa eksporti do të rritet me normë mesatare prej rreth 8.8%”. Këto projeksione janë pasqyruar në Strategjinë Fiskale, për periudhën kohore 2022-2024, me perspektivë deri në vitin 2026.

Në këtë drejtim nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, theksojnë që krahas shkallës së papunësisë, është me shumë rëndësi dhe përqindja e atyre që janë të papunë, por të cilët nuk kërkojnë punë në mënyrë aktive.

“Duhet të kemi parasysh edhe të dhënat se numri mes punëkërkuesve dhe numrit të përgjithshëm që janë të papunë, nuk korrespodon mes veti aq shumë, kështu që, kjo tregon se kriza për sa i përket shkallës së papunësisë, është më e thellë nga ajo që duket në shikim të parë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Durim Zeqiri nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

Tonet optimiste nga ana e qevrisë për sa i përket uljes së shkallës së papunësisë, vijnë në kohen kur ekonomia përpiqet të shërojë plagët që i ka shkaktuar kriza e pandemisë.

Në bazë të të dhënave të Agjencisë për Punësim, mbi 17 mijë qytetarë kanë humbur vendin e punës si rrjedhojë e krizës së pandemisë.

https://av.gov.mk/content/Statisticki%20podatoci/%D0%90%D0%BF%D1%80%D0%B8%D0%BB%202021/Nevrabotenilica_042021.pdf

Nga Instituti për Politikë dhe Hulumtime Ekonomike “Finance Think”, thonë se të dhënat e kuartalit të fundit të vitit të kaluar 2020, si dhe ata të kuartalit, tregojnë se evidente është një stabilizim i ndjeshëm i tregut të punës, megjithëse kanë nënvizuar se duhet të jenë të kujdesshëm për sa i përket parametrave të shkallës së papunësisë, si para për faktin sepse në një aspekt, efekti i masave të qeverisë (masat anti krizë) ngadalë shteren dhe e dyta, të gjithë ata që në vlugun e pandemisë ishin dekurajuar të kërkojnë punë, akoma nuk janë aktivë në kërkim të punës, por kjo gjë do të ndryshojë me përfundimin e pandemisë”.

Nga Finance Think, kanë nënvizuar se pandemia ka edhe anën pozitive, pasi rreth 14 mijë të punësuar të cilët ishin të përfshirë në ekonominë informale, për të shfrytëzuar masat anti krizë, përkatësisht për të aplikuar për subvencionimin e pagave, punëdhënësit i kanë paraqitur të njëjtit, megjithëse nënvizon se arteriet qeveritare tani duhet të gjejnë mekanizma që të njëjtit punëdhënësit, t’i mbajë edhe më tej në marrëdhënie pune./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat